Secondary Adv

BERZH ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, efekt pozitiv nga zhvendosja e turizmit

BERZH ka ulur lehtë pritshmëritë për ekonominë shqiptare në vitin 2026, ndërsa sheh mundësi për rritje të turizmit si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Në raportin e saj më të fundit të publikuar në qershor, BERZH parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.4% gjatë vitit 2026, duke e ulur vlerësimin me 0.1 pikë përqindje krahasuar me parashikimin e muajit shkurt. Për vitin 2027, institucioni financiar ndërkombëtar pret një rritje prej 3.5%.

 

Sipas raportit, ekonomia shqiptare u ngadalësua nga 4.0% në vitin 2024 në 3.8% gjatë vitit 2025. Kontributin kryesor në rritje e dhanë administrata publike, pasuritë e paluajtshme, sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si edhe ndërtimi. Në të kundërt, industria dhe bujqësia shënuan tkurrje, të ndikuara nga forcimi i lekut, kërkesa më e dobët nga tregjet e jashtme dhe rritja e kostove të punës që ka reduktuar konkurrueshmërinë e eksporteve.

 

Turizmi dhe remitancat mbështetën ekonominë

Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga konsumi publik dhe eksportet e shërbimeve, ndërsa eksportet e mallrave kanë shënuar rënie. BERZH vëren se deficiti i llogarisë korrente u ngushtua ndjeshëm në 0.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, falë performancës së fortë të turizmit dhe remitancave.

 

Investimet e huaja direkte mbetën në nivele të qëndrueshme, të përqendruara kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe ndërmjetësimin financiar. Ndërkohë, turizmi ka vijuar ritmet pozitive edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, ndërsa konsumi i familjeve është mbështetur nga rritja e pagave dhe rritja e pagës minimale.

 

Inflacioni mbetet nën kontroll

BERZH thekson se inflacioni ka qëndruar pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në mars 2026, norma e inflacionit rezultoi 2.6%, ndërsa ndikimi i rritjes së çmimeve të karburanteve është zbutur pjesërisht nga masat fiskale dhe kufizimet e vendosura mbi çmimet. Norma bazë e interesit ka mbetur e pandryshuar në nivelin 2.5% që nga mesi i vitit 2025.

 

Në aspektin fiskal, deficiti buxhetor u rrit në 1.8% të PBB-së gjatë vitit 2025, por mbeti nën pritshmëritë fillestare. Në të njëjtën kohë, borxhi publik zbriti në 53% të PBB-së në fund të vitit.

 

Rreziqet dhe mundësitë për ekonominë shqiptare

Sipas BERZH, rritja ekonomike në vitet e ardhshme do të mbështetet nga investimet dhe përparimi i reformave në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Megjithatë, raporti evidenton disa rreziqe që mund të ndikojnë negativisht, përfshirë dobësimin e konkurrueshmërisë së eksporteve, rreziqet klimatike dhe luhatjet e çmimeve të energjisë të lidhura me konfliktet në Lindjen e Mesme.

 

Njëkohësisht, BERZH vlerëson se Shqipëria mund të përfitojë nga zhvendosja e flukseve turistike nga vendet më pranë zonave të konfliktit, duke tërhequr një pjesë të turistëve që kërkojnë destinacione alternative në Mesdhe dhe Ballkan.

 

Raporti nënvizon gjithashtu se Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj inflacionit për shkak të peshës së lartë që zënë ushqimet dhe energjia në shportën e konsumit familjar. Ushqimet përbëjnë rreth 40% të shpenzimeve të konsumatorëve, duke e bërë ekonominë më të ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat