Qeveria miraton projektligjin për censin e bujqësisë, fermerët që nuk përgjigjen, do të gjobiten
Qeveria ka miratuar projektligjin për censin e bujqësisë, që synon krijimin e një regjistri të plotë të fermave, ndërsa parashikon gjoba për deklarime të pasakta ose mungesë informacioni.

Projektligji “Për censin e bujqësisë”, i miratuar nga qeveria dhe i dërguar për shqyrtim në Kuvend, parashikon zhvillimin e një regjistrimi të plotë të njësive ekonomike bujqësore në të gjithë territorin e Shqipërisë. Procesi do të përfshijë fermerët, familjet që punojnë tokën, njësitë blegtorale, ekonomitë bujqësore që prodhojnë për treg, por edhe ato që prodhojnë vetëm për konsum familjar.
Qëllimi i censit është krijimi i një baze të besueshme të dhënash për sektorin bujqësor, duke pasqyruar sipërfaqet e tokës së përdorur, kulturat bujqësore, blegtorinë, bletarinë, punësimin në fermë si dhe karakteristikat demografike të personave të angazhuar në këtë sektor.
Çfarë do të përfshijë regjistrimi
Sipas projektligjit, censi do të mbulojë 98% të sipërfaqes së përdorur për bujqësi dhe 98% të njësive blegtorale në vend. Në regjistrim do të përfshihen të gjitha njësitë që disponojnë tokë bujqësore ose zhvillojnë aktivitete bujqësore dhe blegtorale.
Pyjet dhe kullotat publike nuk do të jenë pjesë e censit, përveç rasteve kur përdoren drejtpërdrejt nga njësitë ekonomike bujqësore për zhvillimin e aktivitetit të tyre.
INSTAT do të jetë institucioni përgjegjës për administrimin e të gjithë procesit. Të dhënat e mbledhura do të përdoren vetëm për qëllime statistikore dhe nuk do të shërbejnë për krijimin apo përditësimin e regjistrave të tjerë administrativë.
Detyrim ligjor për të dhënë informacion
Projektligji përcakton se drejtuesit e njësive ekonomike bujqësore kanë detyrimin ligjor të japin informacion të plotë, të saktë dhe të vërtetë për pyetësorin e censit. Në rast se drejtuesi nuk mund të përgjigjet personalisht, informacioni mund të jepet nga një anëtar tjetër madhor i familjes ose i njësisë ekonomike, i autorizuar prej tij.
Rezultatet e censit do të publikohen në nivel kombëtar dhe vendor vetëm në formë statistikore, pa identifikuar individë apo subjekte të veçanta. Raportet do të përfshijnë edhe tregues mbi pjesëmarrjen e grave dhe burrave në aktivitetet bujqësore. Pas përfundimit të procesit, INSTAT do t’i dërgojë rezultatet pranë Eurostatit brenda 12 muajve.
Gjoba deri në 100 mijë lekë
Një nga elementët më të rëndësishëm të projektligjit lidhet me masat administrative ndaj atyre që nuk respektojnë detyrimet ligjore. Refuzimi për të dhënë informacion ose deklarimi i të dhënave të rreme do të ndëshkohet me gjobë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.
E njëjta masë ndëshkuese do të aplikohet edhe ndaj personave apo organizatave që zhvillojnë mbledhje të paautorizuara të të dhënave nga fermat gjatë periudhës së censit. Ligji përcakton se katër javë para fillimit të censit dhe gjatë gjithë periudhës së mbledhjes së të dhënave, vetëm INSTAT ose subjektet e autorizuara nga Komisioni Qendror i Censit të Bujqësisë mund të kryejnë anketime apo regjistrime të tilla.
INSTAT do të jetë institucioni përgjegjës për verifikimin e shkeljeve dhe vendosjen e gjobave. Vendimi duhet t’i komunikohet subjektit me shkrim brenda 10 ditëve kalendarike. Kundër gjobës mund të bëhet ankim pranë Drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it brenda 30 ditëve, ndërsa më pas çështja mund të ndiqet në Gjykatën Administrative brenda 45 ditëve.
Mbrojtja e të dhënave dhe financimi
Projektligji parashikon që çdo shkelje që lidhet me konfidencialitetin statistikor të trajtohet sipas legjislacionit për statistikat zyrtare, ndërsa shkeljet që lidhen me të dhënat personale do të trajtohen sipas ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Financimi i censit do të sigurohet nga buxheti i shtetit përmes fondeve të dedikuara në buxhetin e INSTAT-it. Procesi mund të mbështetet gjithashtu nga fondet e Bashkimit Evropian, donatorët ndërkombëtarë dhe burime të tjera të ligjshme financiare.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)