Secondary Adv

Tender 3.9 mln euro për modernizimin e infrastrukturës IT të Doganave

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka hapur një tender prej 3.9 milionë eurosh për modernizimin e infrastrukturës teknologjike dhe rritjen e sigurisë së sistemeve.

Procedura e prokurimit, e zhvilluar përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, parashikon investime në përmirësimin e infrastrukturës hardware të sistemeve doganore dhe rrjeteve fizike. Fondi limit i tenderit është 387 milionë lekë, ndërsa dokumentacioni teknik tregon se projekti synon zëvendësimin e pajisjeve ekzistuese që janë amortizuar ose nuk mbështeten më nga prodhuesit.

 

Investimi do të prekë sistemet kryesore të administratës doganore, përfshirë Asycuda World, LIMS, SEED, AlphaWeb dhe platforma të tjera të përdorura për operacionet doganore dhe tarifore.

 

Infrastrukturë e re me dy qendra operimi

Një nga elementët kryesorë të projektit është ngritja e një infrastrukture të re me dy site, një qendër primare dhe një sekondare, me qëllim garantimin e vazhdimësisë së shërbimit dhe rikuperimin e shpejtë në rast incidentesh apo ndërprerjesh. Pajisjet ekzistuese që do të mbeten funksionale do të përdoren për ambiente testimi dhe pre-produksioni.

 

Paketa e investimit përfshin 16 serverë për virtualizim, dy sisteme të ruajtjes së të dhënave (storage), katër SAN switch-e, pajisje për backup, softuer për virtualizim dhe kopje rezervë, si dhe pajisje të tjera të specializuara për funksionimin e sistemeve kritike.

 

Forcim i sigurisë kibernetike

Projekti synon gjithashtu rritjen e nivelit të sigurisë së sistemeve doganore. Në kuadër të tij parashikohet instalimi i katër firewall-eve qendrore, 10 firewall-eve për degët doganore, katër switch-eve qendrore, një platforme për analizimin e log-eve dhe katër pajisjeve load balancer.

 

Përmes arkitekturës SD-WAN dhe monitorimit të centralizuar të ngjarjeve të sigurisë, Doganat synojnë të përmirësojnë komunikimin ndërmjet qendrës dhe degëve, si dhe të rrisin mbrojtjen ndaj kërcënimeve kibernetike.

 

Përgatitje për sistemet e reja doganore

Sipas dokumenteve të tenderit, modernizimi i infrastrukturës lidhet edhe me nevojën për të mbështetur implementimin e sistemeve të reja si NCTS dhe NSW, të cilat pritet të sjellin rritje të volumit të të dhënave dhe kërkesave për kapacitete më të mëdha procesuese.

 

Kontrata parashikon një periudhë 12-mujore për realizimin e projektit dhe 24 muaj mirëmbajtje pas përfundimit të implementimit. Objektivi final është ndërtimi i një infrastrukture moderne me disponueshmëri të lartë, pa pika të vetme dështimi, me kapacitete më të mëdha ruajtjeje dhe përpunimi të të dhënave, si dhe me standarde të avancuara të sigurisë së informacionit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat