Secondary Adv

Kostot e ndërtimit vijojnë të rriten, ndikuar nga pagat dhe shpenzimet operative

Kostot e ndërtimit në Shqipëri kanë vijuar të rriten edhe në fillim të vitit 2026, të ndikuara kryesisht nga shpenzimet për paga dhe kostot operative, ndërsa materialet e ndërtimit kanë shënuar ulje të lehtë.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (IKN) për tremujorin e parë të vitit 2026 u rrit me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky ritëm është pak më i lartë se ai i regjistruar një vit më parë, kur rritja vjetore ishte 1.0%.

 

Pavarësisht rritjes së moderuar të kostove, sektori i ndërtimit vijon të përfitojë nga çmimet e larta të shitjes së apartamenteve, ndërtesave dhe projekteve turistike, duke bërë që marzhet e fitimit të mbeten në nivele të favorshme krahasuar me vitet e mëparshme.

 

Pagat dhe kostot operative shtyjnë rritjen

Sipas INSTAT, grupi me rritjen më të lartë të kostove gjatë tremujorit të parë ishte ai i shpenzimeve për paga, që u zgjerua me 4.8% në krahasim me një vit më parë. Pas tij renditet grupi “Kosto të tjera” me një rritje prej 2.5%, ndërsa shpenzimet e transportit u rritën me 1.7% dhe ato për makineritë me 1.5%.

 

Rritja e pagave reflekton vështirësitë në gjetjen e fuqisë punëtore të specializuar dhe presionet e përgjithshme në tregun e punës, ku sektori i ndërtimit po konkurron gjithnjë e më shumë për punonjës të kualifikuar.

 

Materialet e ndërtimit në rënie

Në kontrast me kostot e punës dhe ato operative, grupi i shpenzimeve për materiale shënoi një ulje vjetore prej 0.9%. Brenda këtij grupi, materialet bazë të ndërtimit ranë me 1.4%, ndërsa materialet hidro-sanitare dhe të ventilimit u ulën me 0.9%.

 

Vetëm grupi i materialeve elektrike dhe të komunikimit regjistroi një rritje të lehtë prej 0.5%, duke treguar se presionet mbi çmimet e materialeve nuk janë të njëjta në të gjitha segmentet e tregut.

 

Rritje edhe krahasuar me fundin e vitit 2025

Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2025, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim u rrit me 0.3%. Kontributin kryesor e dha grupi “Kosto të tjera”, me një rritje prej 1.7%, i ndjekur nga shpenzimet për paga me 0.6% dhe kostot e makinerive e transportit me nga 0.3% secila.

 

Edhe në këtë krahasim tremujor, materialet e ndërtimit vijuan tendencën rënëse. Shpenzimet për materiale u ulën me 0.2%, të ndikuara nga rënia e çmimeve të materialeve hidro-sanitare dhe materialeve bazë të ndërtimit.

 

Ndërtimi mbetet një nga sektorët më aktivë të ekonomisë

Sektori i ndërtimit ka njohur zgjerim të fortë gjatë viteve të fundit, i mbështetur nga projektet rezidenciale shumëkatëshe në Tiranë, investimet në resorte turistike përgjatë bregdetit dhe zhvillimet në sektorin hotelier. Kërkesa e lartë ka bërë që shumë investitorë dhe biznese të zhvendosin aktivitetin drejt këtij sektori.

 

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim llogaritet mbi bazën e një banese tipike me 8 deri në 10 kate dhe mat ndryshimet në çmimet e materialeve, fuqisë punëtore, makinerive, transportit dhe shpenzimeve të tjera. Shporta aktuale përbëhet nga 71 zëra, ku 66 prej tyre janë materiale ndërtimi.

 

Për përllogaritjen e indeksit, INSTAT mbledh të dhëna nga 237 distributorë dhe tregtarë të materialeve të ndërtimit, si dhe nga 97 kompani të mëdha ndërtimi, të përqendruara kryesisht në Tiranë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat