Secondary Adv

Nafta dhe benzina rriten sërish me 4 lekë për litër

Çmimet e karburanteve në vend kanë shënuar një tjetër rritje, ndërsa Bordi i Transparencës ka vendosur për të dytën mbledhje radhazi rritjen e çmimeve tavan për naftën dhe benzinën.

Sipas vendimit të marrë më 4 qershor 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin është përcaktuar në 195 lekë për litër, ose 4 lekë më shumë krahasuar me vendimin e mëparshëm. Ndërkohë, çmimi maksimal i shitjes me shumicë është caktuar në 183 lekë për litër.

 

Edhe benzina ka pësuar rritje. Bordi vendosi që çmimi maksimal i shitjes me pakicë të jetë 180 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë 168 lekë për litër. Rritja e re vjen pas një periudhe disa javore me ulje të vazhdueshme të çmimeve në tregun vendas të karburanteve.

 

Çmimet hynë menjëherë në fuqi

Sipas njoftimit zyrtar, çmimet e reja hynë në fuqi më 4 qershor në orën 15:30 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të reflektohen lëvizjet e reja të tregjeve ndërkombëtare.

 

Autoritetet rikujtuan se të gjithë operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve janë të detyruar të zbatojnë çmimet e përcaktuara. Në rast të shkeljeve, ndaj subjekteve mund të merren masa administrative deri në pezullimin e aktivitetit.

 

Akciza mbetet në nivel të plotë

Bordi sqaroi se çmimet aktuale vijojnë të mbeten nën pragjet e përcaktuara në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026. Sipas këtij akti, reduktimi i akcizës në nivelin 80% zbatohet vetëm kur çmimi i gazoilit kalon 220 lekë për litër ose kur benzina shitet mbi 200 lekë për litër.

 

Meqenëse çmimet aktuale janë nën këto kufij, akciza mbi karburantet do të vazhdojë të zbatohet në nivelin e plotë, 100%.

 

Çmimi i gazoilit për peshkim arrin në 100 lekë

Njoftimi përcakton gjithashtu se çmimi i gazoilit për sektorin e peshkimit rezulton në 100 lekë për litër. Ky çmim përfiton nga përjashtimet ligjore për taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën, të parashikuara për anijet e peshkimit sipas legjislacionit në fuqi.

 

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaruan se do të vijojnë monitorimin e tregut me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në sektorin e karburanteve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat