Secondary Adv

Eurostat: 35 për qind e shqiptarëve nuk përballojnë qiratë, faturat apo pushimet

Shqipëria renditet e para në Europë për privimin e rëndë material dhe social, sipas të dhënave të vitit 2024.

Shqipëria vijon të mbetet vendi me nivelin më të lartë të privimit të rëndë material dhe social në Europë. Të dhënat më të fundit të Eurostat për vitin 2024 tregojnë se 34.8 për qind e popullsisë shqiptare jeton në kushte të tilla, duke mos qenë në gjendje të përballojë një pjesë të konsiderueshme të nevojave bazë që konsiderohen standard për një jetë dinjitoze.

 

Treguesi mat përqindjen e personave që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë mallra, shërbime apo aktivitete të konsideruara të domosdoshme për një standard të përshtatshëm jetese. Këto përfshijnë pagesën e qirasë dhe faturave, përballimin e shpenzimeve të papritura, konsumimin e rregullt të mishit ose peshkut, një javë pushime larg shtëpisë, zotërimin e një automjeti, zëvendësimin e mobilieve të konsumuara, blerjen e rrobave dhe këpucëve të reja, pjesëmarrjen në aktivitete sociale dhe aksesin në internet.

 

Hendek i madh me Bashkimin Europian

Sipas Eurostat, niveli i privimit material dhe social në Shqipëri është rreth pesë herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian. Në vitin 2024, mesatarja e vendeve të BE-së ishte vetëm 6.3 për qind, ndërsa në Shqipëri ky tregues arriti në 34.8 për qind.

 

Edhe krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet dukshëm më dobët. Në Maqedoninë e Veriut niveli i privimit material dhe social është 11.6 për qind, në Serbi 10.3 për qind dhe në Mal të Zi 12.3 për qind. Për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën nuk raportohen të dhëna në publikimin e Eurostat.

 

Megjithëse treguesi ka shënuar përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme, kur në vitin 2018 arrinte afërsisht 46 për qind, niveli aktual mbetet shumë i lartë dhe të paktën dy herë më i lartë se vendi i dytë më problematik në Europë.

 

Europa ka përmirësuar standardin e jetesës

Në nivel europian, numri i personave që jetojnë në kushte të privimit të rëndë material dhe social ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Nga rreth 41 milionë persona në vitin 2015, ky numër ka zbritur në 27.5 milionë në vitin 2024.

 

Ndër vendet e Bashkimit Europian, nivelet më të larta të privimit regjistrohen në Rumani me 16.8 për qind, Bullgari me 15 për qind dhe Greqi me 14.9 për qind. Në anën tjetër, vendet me standardin më të lartë të jetesës dhe nivelin më të ulët të privimit janë Polonia me 2 për qind, Holanda me 2.6 për qind, Çekia me 2.6 për qind dhe Austria me 2.9 për qind.

 

Çfarë mat privimi material dhe social?

Sipas metodologjisë së Eurostat, një person konsiderohet në privim të rëndë material dhe social kur nuk mund të përballojë të paktën shtatë nga trembëdhjetë elementët bazë të jetesës. Këto përfshijnë pagesën e qirasë, faturave apo kredive, mbajtjen e banesës mjaftueshëm të ngrohtë, përballimin e shpenzimeve të papritura, konsumimin e rregullt të ushqimeve me vlera të larta ushqyese, pushimet vjetore, aksesin në automjet, zëvendësimin e mobilieve, blerjen e rrobave dhe këpucëve të reja, shpenzime personale për veten, pjesëmarrjen në aktivitete argëtuese, takimet sociale me miq dhe familjarë si dhe aksesin në internet.

 

Treguesi konsiderohet një nga matësit më të rëndësishëm të cilësisë së jetesës dhe përfshirjes sociale, pasi vlerëson jo vetëm të ardhurat, por edhe mundësinë reale të individëve për të përmbushur nevojat bazë të përditshme.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat