Tatimet verifikojnë faturat, mbi 2,100 individë presin kompensimin për arsimin e fëmijëve
Administrata Tatimore ka nisur shqyrtimin e dokumentacionit për përfituesit e zbritjes së shpenzimeve arsimore.

Administrata Tatimore ka nisur procesin e verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar nga individët që kanë aplikuar për përfitimin e kompensimit pas deklarimit të shpenzimeve për arsimin e fëmijëve në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) 2025. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 2,161 individë pritet të përfitojnë kompensim nga njohja e shpenzimeve arsimore deri në vlerën maksimale prej 100 mijë lekësh.
Kjo masë është e vlefshme vetëm për individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë, të cilët kanë deklaruar dhe justifikuar shpenzimet për arsimin e fëmijëve përmes faturave të fiskalizuara.
Verifikimi kërkon më shumë kohë
Sipas burimeve nga Administrata Tatimore, procesi i shqyrtimit të kërkesave për këtë kategori do të zgjasë më shumë se rastet e tjera të kompensimeve, pasi nevojitet kontrolli dhe verifikimi i faturave të fiskalizuara që justifikojnë shpenzimet e deklaruara. Pas përfundimit të verifikimeve, kompensimi do të transferohet në llogaritë bankare që individët kanë deklaruar gjatë aplikimit në sistemin elektronik e-Filing.
Zbritje për arsimin dhe fëmijët në ngarkim
Gjatë plotësimit të DIVA-s, individët përfitues kishin mundësi të deklaronin jo vetëm zbritjen prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim, por edhe zbritjen e shpenzimeve arsimore deri në vlerën 100 mijë lekë.
Ndërsa përfitimi prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim u njoh për të gjithë deklaruesit që dorëzuan formularin, pavarësisht nivelit të të ardhurave, zbritja e shpenzimeve arsimore u kufizua vetëm për individët me të ardhura bruto deri në 1.2 milionë lekë në vit dhe kërkonte dokumentacion justifikues.
Si funksionon kompensimi
Sipas një shembulli të publikuar nga Monitor, një individ me të ardhura bruto nën 1.2 milionë lekë dhe me dy fëmijë në ngarkim përfitoi njohjen e 96 mijë lekëve shpenzime për kujdesin ndaj fëmijëve dhe 100 mijë lekëve për arsimin.
Pas zbritjes së këtyre shpenzimeve dhe rillogaritjes së detyrimit tatimor, individi rezultoi me një mbipagesë prej 25 mijë lekësh, shumë e cila do t’i kthehet si kompensim. Për të përfituar këtë rimbursim, aplikuesit duhet të kenë dorëzuar kërkesën përkatëse, certifikatën familjare, dokumentin që vërteton IBAN-in e llogarisë bankare dhe faturat e fiskalizuara të shpenzimeve për fëmijët.
Mbi 34 mijë përfitues nga kompensimet
Afati për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale për vitin 2025 përfundoi më 31 mars 2026. Që nga fundi i muajit maj, Administrata Tatimore ka nisur kthimin e kompensimeve për individët që kanë deklaruar një ose dy fëmijë në ngarkim. Në total, për këtë kategori rezultojnë 34,263 përfitues, ndërsa vlera e përgjithshme e kompensimeve arrin në rreth 518 milionë lekë.
Administrata Tatimore bën të ditur se e drejta për të kërkuar kompensim nuk humbet për një periudhë prej pesë vitesh. Ndërkohë, afati maksimal për shqyrtimin e kërkesave nga administrata është deri në dy muaj nga momenti i aplikimit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)