Sot afati i fundit për Paqen Fiskale, bizneset që nuk aplikojnë mbeten jashtë skemës
Administrata Tatimore njofton se 5 qershori është dita e fundit për aplikimet në Marrëveshjen e Paqes Fiskale.

Bizneset që duan të bëhen pjesë e Marrëveshjes së Paqes Fiskale kanë kohë vetëm deri në fund të ditës së 5 qershorit për të paraqitur aplikimin. Administrata Tatimore ka rikujtuar se pas përfundimit të afatit sistemi elektronik nuk do të pranojë më kërkesa të reja, duke lënë jashtë skemës çdo subjekt që nuk ka aplikuar brenda afatit ligjor.
Skema parashikohet nga Ligji nr. 84/2025 dhe u drejtohet tatimpaguesve të regjistruar si persona fizikë ose juridikë që janë subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi.
Kushtet për t’u bërë pjesë e skemës
Për të përfituar nga Marrëveshja e Paqes Fiskale, subjektet duhet të plotësojnë disa kritere të përcaktuara me ligj. Ndër to përfshihen ushtrimi i aktivitetit ekonomik në Shqipëri, realizimi i të ardhurave bruto mbi 14 milionë lekë gjatë vitit tatimor paraardhës, si dhe mungesa e detyrimeve tatimore të papaguara ose të padeklaruara.
Një tjetër kusht është që tatimpaguesi të mos jetë subjekt i procedimeve penale apo hetimeve në fushën tatimore. Aplikimi kryhet online përmes platformës “e-Filing”, ku subjektet duhet të dorëzojnë formularët përkatës, dokumentacionin e kërkuar dhe vetëdeklarimet e parashikuara nga ligji.
Verifikimi dhe afatet e mëtejshme
Sipas Administratës Tatimore, verifikimi i aplikimeve do të përfundojë brenda pesë ditëve kalendarike pas kontrollit të kushteve ligjore. Përgjigjja përfundimtare do t’u komunikohet tatimpaguesve në mënyrë elektronike jo më vonë se data 10 qershor.
Pas miratimit, përfaqësuesit ligjorë të subjekteve duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nënshkruar pranë drejtorive rajonale tatimore ose përmes sistemit elektronik brenda pesë ditëve nga njoftimi dhe jo më vonë se data 15 qershor.
Ndërkohë, bizneset që kanë rideklaruar pasqyrat financiare të viteve të mëparshme duhet të përmbushin deri më 30 qershor të gjitha detyrimet që lidhen me pagesat e tatimeve, dorëzimin e pasqyrave të korrigjuara financiare dhe dokumentacionit shoqërues.
Çfarë përfitimesh ofron Paqja Fiskale
Marrëveshja e Paqes Fiskale është një marrëveshje vullnetare ndërmjet biznesit dhe Administratës Tatimore, ku në fillim të periudhës përcaktohet fitimi i tatueshëm dhe niveli i tatimit që do të paguhet. Fillimisht ajo ka afat njëvjeçar, por mund të rinovohet edhe për dy vite të tjera, duke i lejuar bizneset të qëndrojnë në këtë regjim deri në tre vjet.
Formula e llogaritjes bazohet te fitimi i tatueshëm i vitit paraardhës. Administrata Tatimore e rrit këtë vlerë me 18 për qind dhe mbi bazën e re aplikohet norma standarde e tatimit prej 15 për qind.
Përfitimi më i madh për bizneset vjen në rastet kur realizojnë fitime më të larta se ato të parashikuara në marrëveshje. Diferenca tatohet me normë të reduktuar prej 5 për qind dhe jo me 15 për qind, duke ulur ndjeshëm barrën fiskale për fitimin shtesë.
Më pak kontrolle gjatë periudhës së marrëveshjes
Një nga avantazhet kryesore të skemës është kufizimi i kontrolleve tatimore. Gjatë periudhës së zbatimit të marrëveshjes nuk do të kryhen kontrolle në terren për tatimin mbi fitimin, përveç rasteve kur ekzistojnë dyshime për mashtrim të rëndë tatimor.
Administrata Tatimore do të kryejë vetëm monitorim nga zyra dhe verifikime administrative, pa inspektime të zakonshme pranë biznesit. Kjo synon të krijojë më shumë siguri, stabilitet dhe parashikueshmëri për subjektet që zgjedhin të bëhen pjesë e Paqes Fiskale.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






k.jpg)