Rivlerësimi i pronave sjell 40 mln euro në buxhet, ende pa afat çmimet e referencës në rrethe
Procesi i rivlerësimit me tatim 5 për qind ka gjeneruar 3.9 miliardë lekë të ardhura në katër muajt e parë të zbatimit.

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me normën e reduktuar të tatimit prej 5 për qind ka sjellë në buxhetin e shtetit rreth 3.9 miliardë lekë, ose afërsisht 40 milionë euro, gjatë periudhës shkurt-maj 2026. Shifrat u bënë publike nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili theksoi se interesi i qytetarëve për këtë proces është më i lartë krahasuar me rivlerësimin e zhvilluar në vitin 2022.
Sipas ministrit, në procesin e rivlerësimit të vitit 2022 u arkëtuan gjithsej 5.6 miliardë lekë, ndërsa këtë vit janë mbledhur 3.9 miliardë lekë vetëm në muajt e parë të zbatimit të skemës.
Mbi 9 mijë aplikime për rivlerësim
Të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës tregojnë se për periudhën shkurt-prill janë arkëtuar rreth 3.2 miliardë lekë, ose afërsisht 34 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 9,532 aplikime për rivlerësim të pronave.
Nga totali i aplikuesve, vetëm 2,114 persona, ose rreth 22 për qind e tyre, kishin paguar tatimin e rivlerësimit. Vlera e tatimit të transferuar në administratën tatimore nga këto aplikime llogaritet në rreth 1.59 miliardë lekë.
Ndërkohë, 53 për qind e aplikimeve, ose 5,053 raste, rezultojnë me tatim të përllogaritur por ende të papaguar, ndërsa 25 për qind e aplikimeve, që përkthehen në 2,365 raste, janë refuzuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Tirana dhe Durrësi kryesojnë aplikimet
Interesi më i madh për rivlerësimin e pronave është përqendruar në Tiranë dhe Durrës. Sipas statistikave, 42 për qind e të gjitha aplikimeve janë regjistruar në Tiranë, ndërsa 18 për qind vijnë nga Durrësi, Kavaja dhe Kruja. Vlora përfaqëson rreth 6 për qind të aplikimeve, Lezha 4.5 për qind, Saranda 4 për qind dhe Fieri rreth 4 për qind të totalit.
Rrethet ende pa çmime të reja reference
Ndryshe nga Tirana, ku procesi i rivlerësimit kryhet mbi bazën e çmimeve të reja të referencës të miratuara në vitin 2023 për 32 zona kadastrale, në pjesën tjetër të vendit vazhdojnë të zbatohen çmimet e referencës të përcaktuara që në vitin 2016.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se grupi i punës ende nuk ka përfunduar hartimin e çmimeve të reja të referencës për rrethet. Ai theksoi se qytetarët që dëshirojnë të kryejnë rivlerësimin sipas çmimit aktual të tregut mund t’i drejtohen ekspertëve privatë të licencuar.
“Grupi i punës është duke punuar, është më kompleks sepse përfshin edhe bashkitë. Ky proces nuk e pengon rivlerësimin, por qytetarët që kërkojnë të bëjnë rivlerësimin sipas çmimeve të tregut mund ta realizojnë atë përmes vlerësuesve privatë”, u shpreh Malaj.
Çmimet e reja ende në pritje
Në korrik të vitit 2025, Ministria e Financave propozoi një hartë të re të çmimeve të referencës për rrethet, me rritje që në disa zona arrinin deri në 200 për qind, veçanërisht në zonat pranë portit të Durrësit. Fillimisht ishte parashikuar që këto çmime të hynin në fuqi nga 1 janari 2026.
Megjithatë, projektvendimi ende nuk është miratuar. Gjatë këtij viti, ministria ka shtuar edhe zona të reja kadastrale në propozim, duke përfshirë për herë të parë edhe fshatrat si zona të veçanta me çmime reference. Aktualisht, për zonat rurale përdoren çmimet e qyteteve përkatëse, të reduktuara me 35 për qind.
Sipas Ministrisë së Financave, grupi ndërinstitucional po vijon punën për të përcaktuar çmime sa më pranë realitetit të tregut, ndërsa ende nuk ka një afat zyrtar për miratimin e hartës së re të çmimeve të referencës për të gjithë territorin e vendit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)