Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen nxit zgjerimin e BE me vendet e rajonit
Liderët europianë dhe të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Mal të Zi për të diskutuar zgjerimin, sigurinë dhe integrimin ekonomik.

Liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur këtë të premte në Tivatin e Malit të Zi në një samit ku zgjerimi i BE-së mbetet tema qendrore e diskutimeve. Takimi zhvillohet në një moment kur Brukseli e konsideron zgjerimin si një instrument strategjik për forcimin e stabilitetit dhe ndikimit europian në rajon, përballë konkurrencës gjeopolitike të Rusisë dhe Kinës.
Në samit marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, si dhe drejtuesit e Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës.
Von der Leyen: Procesi duhet të jetë më i shpejtë
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, theksoi se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë të bazohet te meritat e secilit vend kandidat, por pa u shndërruar në një proces të ngadaltë.
“Zgjerimi bazohet në meritë, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë i ngadaltë. Ne duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe më të besueshëm. Nëse një vend kandidat realizon reformat e kërkuara, ai duhet të ecë përpara me hapjen dhe mbylljen e kapitujve dhe grupeve të kapitujve në rrugën drejt Bashkimit Europian”, deklaroi Von der Leyen.
Ajo shtoi se procesi duhet të jetë më i dukshëm si për qytetarët e vendeve kandidate, ashtu edhe për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, duke theksuar se zgjerimi sjell më shumë siguri, mirëqenie dhe një rol më të fortë të Europës në arenën ndërkombëtare.
“Ekziston një momentum. Tani duhet ta shndërrojmë këtë momentum në lëvizje dhe këtë lëvizje në anëtarësim”, u shpreh presidentja e Komisionit Europian.
Nisma franko-gjermane për integrim gradual
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, vendet kandidate pritet të mbështesin një iniciativë të re franko-gjermane që synon përshpejtimin e procesit të integrimit. Propozimi parashikon që vendet që avancojnë me reformat të përfitojnë akses më të madh në tregun e përbashkët europian dhe të kenë mundësinë të dërgojnë vëzhgues në institucionet e Bashkimit Europian edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, e cilësoi zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor si “investimin më të rëndësishëm gjeopolitik” të Bashkimit Europian, duke kërkuar që procesi të përshpejtohet.
Shqipëria mes vendeve me perspektivë pozitive
Mali i Zi synon të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Europian deri në vitin 2028, ndërsa Shqipëria vazhdon të konsiderohet një nga vendet kandidate me progresin më të dukshëm dhe perspektivën më pozitive në procesin e negociatave.
Ndërkohë, Kosova vazhdon të përballet me vështirësi për shkak se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin ende pavarësinë e saj. Serbia, nga ana tjetër, has pengesa për shkak të marrëdhënieve të saj politike me Rusinë dhe lidhjeve ekonomike me Kinën. Gjermania po shtyn përpara një qasje që synon t’u ofrojë vendeve të rajonit përfitime konkrete gjatë procesit të negociatave, me qëllim ruajtjen e orientimit europian të Ballkanit Perëndimor.
Në fokus edhe ekonomia dhe siguria
Përveç zgjerimit, liderët po diskutojnë edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon integrimin gradual të ekonomive të rajonit në tregun e përbashkët europian. Programi mbështetet nga një paketë financiare deri në 6 miliardë euro, e destinuar për investime, reforma dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
Siguria është gjithashtu një nga temat kryesore të samitit. Diskutimet përfshijnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, përballimin e kërcënimeve kibernetike, luftën kundër dezinformimit dhe rritjen e qëndrueshmërisë së rajonit përballë sfidave të reja gjeopolitike.
Samiti i Tivatit zhvillohet vetëm gjashtë muaj pas takimit të fundit në Bruksel dhe mban moton “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, duke konfirmuar se zgjerimi mbetet një nga prioritetet strategjike të Bashkimit Europian për vitet e ardhshme.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






k.jpg)