Tatimet klasifikojne ne 3 grupe bizneset qe perfitojne nga rimbursimi i TVSH, ja specifikat
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka lehtësuar skemën e rimbursimit të TVSH-së nëpërmjet një ndarje në tre kategori të bizneseve përfituese.
E drejta e tatimpaguesit për të kërkuar rimbursimin e tepricës kreditore parashkruhet kur kanë kaluar 5 vjet nga data e dorëzimit të deklaratës tatimore, të përcaktuar në legjislacionin tatimor përkatës.
Tatimpaguesit eksportues ose personat e tatueshëm që rieksportojnë mallrat joshqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv në Republikën e Shqipërisë, që plotësojnë këto kushte:
Vlera e eksporteve të kryera në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, është më shumë se 70% e vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet; Kanë aktivitet eksportues mbi 1 vit; Paraqesin si dokument prove të kryerjes së eksportit deklaratën doganore të eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në Republikën e Shqipërisë; Nuk kanë detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero. Tatimpaguesit eksportues, vlera e eksporteve të të cilëve, të kryera në periudhën/at tatimore për të cilën/at kërkohet rimbursimi, përbën më shumë se 50% deri në 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, rimbursohen brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, duke iu nënshtruar më parë procedurës së analizës së riskut. Nga analiza e riskut mund të rezultojë që tatimpaguesi duhet t’i nënshtrohet procesit të kontrollit tatimor. Megjithatë, e gjithë procedura, përfshirë edhe kontrollin, përfundon brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Në të kundërt, brenda afatit 30-ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim kryhet rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet sistemit të Thesarit.
Të gjithë personat e tjerë të tatueshëm që kryejnë eksporte, por nuk klasifikohen në pikat 1 dhe 2 si më sipër, rimbursohen brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim duke iu nënshtruar procedurës së analizës së riskut.Në rast të mosrimbursimit të shumës së miratuar për rimbursim, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.
Nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve të mësipërme, administrata tatimore paguan kamatëvonesë për shumën e paguar më tepër, si më poshtë:
-Kur një shumë e paguar më tepër kreditohet kundrejt një detyrimi tatimor tjetër, kamatëvonesa paguhet duke filluar nga data e pagesës më tepër deri në afatin e pagesës së tatimit, kundrejt të cilit bëhet kreditimi; -Kur një shumë e paguar më tepër rimbursohet, kamatëvonesa paguhet për periudhën nga 30 ditë pas bërjes së pagesës më tepër deri në kryerjen e rimbursimit.