Secondary Adv

Stabilizohen çmimet e importit dhe prodhimit në 3-mujorin e parë

Produktet e importit  nuk po ushtrojnë presion mbi çmimet pasi vlera e tyre në tre-mujorin e parë të vitit erdhi në rënie, ndërsa kostot e prodhimit vendas mbeten të pandryshuara në të njëjtën periudhe.

Çmimet e importit në rënie të lehtë

 

Indeksi i Çmimeve të importit në tremujorin e parë të vitit 2026 shënoi rënie prej 0,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Ky trend rënës u udhëhoq kryesisht nga grupi i energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar, i cili pësoi një ulje prej 2,4%.

 

Rënie më të lehta u vërejtën gjithashtu në industrinë nxjerrëse me 0,3% dhe në industrinë përpunuese me 0,1%. Ndërkaq, në nivel tremujor, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2025, çmimet e importit regjistruan një rritje shumë të lehtë, çka sinjalizon një stabilizim të  çmimeve të importit.

 

Kostot e prodhimit në vendnumëro

 

Nga ana tjetër, indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP), i cili mat ecurinë e çmimeve të produkteve industriale vendase, arriti në 129,7 pikë për të njëjtën periudhë. Në terma vjetorë, çmimet e prodhimit mbetën pothuajse të pa- lëvizura, me një rritje gati të padukshme prej 0,02% në krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.

 

Çmimet e prodhimit për tregun vendas u rritën me 0,3%, ndërsa çmimet e produkteve të destinuara për eksport pësuan një rënie prej 0,5%.

 

Brenda strukturës së prodhimit vendas, rritja më e lartë vjetor u regjistrua në industrinë përpunuese me 0,4%, e ndjekur nga sektori i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve me 0,3%.

 

Në nën-aktivitetet e industrisë përpunuese, rritja më e ndjeshme prej 1,2% u konstatua në prodhimin e pijeve, prodhimin e drurit dhe artikujve prej kashte, shtypshkrim, si dhe në prodhimin e produkteve të kauçukut dhe plastikës.

 

Në krahun e rënies, ashtu si te importet, tkurrja më e fortë u shënua në seksionin e energjisë elektrike, gazit dhe avullit me 0,9%, ndërsa në industrinë përpunuese ranë çmimet e pajisjeve elektrike me 0,9% dhe metalurgjia me 0,6%. Në terma tremujorë, IÇP shfaqi një gjallërim të lehtë prej 0,1% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar. /Monitor


Më të lexuarat