Himara, Vlora dhe Kamza udhëheqin rritjen e të ardhurave vendore, Tirana me rënie 32 për qind
Të ardhurat e bashkive u rritën në shumicën e vendit gjatë vitit 2025, por diferencat mes njësive vendore mbeten të theksuara.

Të ardhurat e veta të bashkive gjatë vitit 2025 kanë shfaqur kontraste të forta mes njësive të pushtetit vendor, si për sa i përket vlerës totale të arkëtimeve, ashtu edhe të ardhurave për frymë. Sipas të dhënave të financave vendore, 39 bashki kanë regjistruar rritje të të ardhurave krahasuar me vitin 2024, ndërsa 22 bashki, ose 36 për qind e totalit, kanë shënuar rënie.
Rritjen më të madhe në vlerë absolute e ka regjistruar Bashkia Himarë, e cila arkëtoi rreth 2.3 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Pas saj renditen Bashkia Vlorë me afro 2 miliardë lekë më shumë dhe Bashkia Kamëz me rreth 1.5 miliardë lekë shtesë. Këto tre bashki rezultojnë përfitueset kryesore të zgjerimit të të ardhurave vendore gjatë vitit 2025.
Tirana mbetet e para, por me rënie të fortë
Në kahun tjetër, Bashkia Tiranë ka regjistruar rënien më të madhe të të ardhurave. Kryeqyteti mblodhi rreth 8.2 miliardë lekë më pak të ardhura të veta krahasuar me vitin 2024, ose 32 për qind më pak.
Megjithatë, Tirana vijon të mbetet bashkia me peshën më të madhe në financat vendore, me rreth 17.6 miliardë lekë të ardhura të veta, që përfaqësojnë 39.2 për qind të totalit të të ardhurave të pushtetit vendor në vend.
Pas Tiranës, rënie të konsiderueshme kanë regjistruar edhe Bashkia Krujë dhe Bashkia Patos. Kruja arkëtoi rreth 132 milionë lekë më pak, ose 29 për qind më pak se një vit më parë, ndërsa Patosi shënoi një tkurrje prej rreth 56 milionë lekësh, ose 28 për qind.
Himara kryeson edhe për të ardhurat për banor
Diferencat bëhen edhe më të dukshme kur analizohen të ardhurat për banor. Në vitin 2025, pushteti vendor mblodhi mesatarisht 10,788 lekë për banor, ose 50.8 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024.
Bashkia Himarë kryeson bindshëm renditjen kombëtare me rreth 212,042 lekë të ardhura për banor. Pas saj renditen Bashkia Kamëz me 35,047 lekë për banor dhe Bashkia Kavajë me 31,294 lekë për banor.
Në fund të renditjes qëndrojnë Bashkia Këlcyrë me vetëm 1,125 lekë për banor dhe Bashkia Has me 1,271 lekë për banor, duke reflektuar kapacitete shumë më të kufizuara fiskale.
Pabarazi të forta mes bashkive
Në total, 37 bashki kanë regjistruar rritje të të ardhurave për banor gjatë vitit 2025. Rritjen më të madhe e ka shënuar sërish Bashkia Himarë, me 169,075 lekë më shumë për banor krahasuar me vitin 2024. Më pas vijnë Bashkia Vlorë me 16,605 lekë më shumë dhe Bashkia Kamëz me 13,559 lekë më shumë për banor.
Nga ana tjetër, 24 bashki kanë pësuar rënie të këtij treguesi. Tirana kryeson me një ulje prej rreth 11,877 lekësh për banor, e ndjekur nga Patosi me 2,222 lekë më pak dhe Kruja me 2,158 lekë më pak për banor.
Të dhënat tregojnë se, megjithëse të ardhurat vendore janë rritur në nivel kombëtar, pabarazitë mes bashkive mbeten të mëdha. Njësitë me aktivitet më të zhvilluar ekonomik, turistik dhe ndërtimor po gjenerojnë të ardhura dukshëm më të larta, ndërsa bashkitë me bazë më të kufizuar ekonomike vijojnë të mbeten pas në kapacitetet e tyre financiare.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)