Në tetor zhvillohet censi i bujqësisë e blegtorisë, kosto 8.9 milionë euro
Shqipëria do të zhvillojë në tetor të këtij viti censin kombëtar të bujqësisë dhe blegtorisë.
Procesi do të përfshijë regjistrimin e tokave të mbjella, fermave, bagëtive, makinerive bujqësore dhe fuqisë punëtore në sektor. Kostoja e operacionit llogaritet në 8.9 milionë euro.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, sekretari i përgjithshëm i INSTAT, Alban Çela, bëri të ditur se puna përgatitore për censin ka nisur, ndërsa po finalizohen elementët metodologjikë dhe organizativë të procesit. Sipas tij, pyetësorët po hartohen duke u mbështetur në përvojën e Censit të Popullsisë dhe Banesave, si edhe në të dhënat administrative ekzistuese.
Çela pranoi se vonesat në miratimin e projektligjit për censin kanë krijuar vështirësi në disa faza të organizimit, përfshirë ngritjen e komisioneve të censit në nivel bashkie, por theksoi se ende ekziston koha e nevojshme për ta realizuar procesin sipas standardeve të kërkuara.
Debate pati edhe për financimin e operacionit statistikor. Përfaqësuesit e INSTAT deklaruan se fondet ende nuk janë miratuar plotësisht, ndërsa kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, kundërshtoi këtë qëndrim duke theksuar se buxheti për censin është parashikuar dhe miratuar në buxhetin e vitit 2026.
Çfarë do të regjistrohet
Procesi do të zgjasë katër javë dhe synon të krijojë një panoramë të plotë të sektorit bujqësor dhe blegtoral në vend. Regjistrimi do të përfshijë sipërfaqet e tokave të mbjella, kulturat bujqësore, fermat, makineritë që përdoren, numrin e të punësuarve dhe tufat e bagëtive.
Projektligji “Për Censin e Bujqësisë” u miratua nga qeveria më 3 qershor dhe pritet të marrë miratimin përfundimtar në Kuvend, duke i hapur rrugën INSTAT-it për organizimin e plotë të procesit dhe angazhimin e strukturave në terren.
Fotografia e parë pas 14 vitesh
Censi i fundit i bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri është zhvilluar në vitin 2012. Që nga ajo kohë sektori ka pësuar ndryshime të konsiderueshme. Sipas të dhënave zyrtare, sipërfaqja e tokës së mbjellë është tkurrur me rreth 18.7 mijë hektarë, ndërsa numri i bagëtive është reduktuar me afro 960 mijë krerë.
Rezultatet e censit të ri pritet të ofrojnë një bazë të përditësuar për hartimin e politikave bujqësore, mbështetjen e fermerëve dhe planifikimin e investimeve në sektorin rural, duke krijuar për herë të parë pas më shumë se një dekade një pasqyrë të detajuar të gjendjes reale të bujqësisë shqiptare.