Secondary Adv

BE kritikon menaxhimin e fondit 527 mln euro për transportin në Ballkan, projektet zvarriten

Vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikojnë të mos përmbushin objektivin për përfundimin e rrjetit kryesor europian të transportit deri në vitin 2030.

Ky është përfundimi i një raporti të ri të Gjykatës Europiane të Auditorëve, që analizon investimet e financuara nga Bashkimi Europian në rajon. Raporti vlerëson se, megjithëse projektet e përzgjedhura janë në përputhje me prioritetet strategjike të lidhjes së Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, progresi në terren mbetet i ngadaltë. Problemet kryesore lidhen me përgatitjen e pamjaftueshme të projekteve, mbikëqyrjen joefikase, monitorimin e dobët dhe mungesën e garancive për qëndrueshmërinë afatgjatë të investimeve.

 

Nga viti 2015 deri në mesin e vitit 2025, Komisioni Europian ka financuar me 527 milionë euro projekte transporti në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

 

“Projektet e transportit në Ballkanin Perëndimor po ecin shumë ngadalë për ta lidhur rajonin me Bashkimin Europian brenda kësaj dekade”, deklaroi Laima Andrikienė, anëtare e Gjykatës Europiane të Auditorëve dhe përgjegjëse për raportin.

 

Projektet nisin me vonesa të konsiderueshme

Sipas auditimit, një nga problemet më të mëdha ka qenë mungesa e gatishmërisë së projekteve në momentin e miratimit të tyre. Auditorët konstatuan se projektet nisnin mesatarisht me 17 muaj vonesë, ndërsa shumë prej tyre kanë regjistruar shtyrje që kalojnë dy vite gjatë fazës së zbatimit.

 

Raporti thekson se Komisioni Europian nuk disponon mekanizma efektivë për monitorimin e vonesave dhe nuk mbledh të dhëna të plota për progresin e korridoreve të transportit që financon. Në disa raste, nuk ka pasur as informacion të mjaftueshëm nëse rrjetet e ndërtuara përmbushin standardet e Bashkimit Europian.

 

Auditorët evidentojnë gjithashtu se Komisioni është mbështetur kryesisht te institucionet financiare ndërkombëtare për mbikëqyrjen e projekteve, por puna e tyre në disa raste është konsideruar e pamjaftueshme. Si pasojë, janë identifikuar situata ku fondet janë disbursuar në nivele më të larta sesa progresi real i punimeve.

 

Pikëpyetje për efektivitetin e granteve

Një tjetër gjetje e raportit lidhet me përdorimin e granteve të WBIF. Në disa raste, huatë për financimin e projekteve ishin nënshkruar përpara se të kërkoheshin grantet europiane, çka sipas auditorëve krijon një situatë ku mbështetja financiare nuk ishte vendimtare për realizimin e investimit.

 

Raporti e cilëson këtë si një “efekt peshë e vdekur”, pasi projektet do të ishin realizuar edhe pa grantet e Bashkimit Europian. Po ashtu, në shumë aplikime mungonin detaje të mjaftueshme për të vlerësuar nëse kostot e deklaruara ishin realisht të arsyeshme.

 

Shqetësime për qëndrueshmërinë e investimeve

Auditorët ngritën shqetësime edhe për mirëmbajtjen dhe funksionalitetin afatgjatë të disa investimeve. Në një rast, gjendja e një linje hekurudhore rezultonte më e keqe pas përfundimit të projektit sesa përpara nisjes së punimeve. Në një projekt tjetër, një tunel ishte ndërtuar pa lidhje funksionale me rrugën përkatëse, ndërsa në një rast tjetër linja hekurudhore përfundonte në kufi pa vazhdimësi infrastrukturore.

 

Megjithatë, raporti pranon se WBIF ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit europian të transportit në Ballkanin Perëndimor dhe në financimin e projekteve prioritare të lidhjes rajonale.

 

Pavarësisht kësaj, Gjykata Europiane e Auditorëve paralajmëron se ritmi aktual i zbatimit e bën shumë të vështirë përmbushjen e objektivit për integrimin e plotë të rrjetit rajonal të transportit me standardet europiane deri në vitin 2030.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat