Investimet e huaja u rritën përsëri në 3-mujorin e parë, 43 për qind shkuan për prona
Investimet e huaja direkte në Shqipëri vijuan të rriten në tremujorin e parë të vitit 2026, duke arritur 404 milionë euro, ose 11.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat konfirmojnë tendencën e viteve të fundit, ku pasuritë e paluajtshme mbeten destinacioni kryesor i kapitalit të huaj. Sipas statistikave zyrtare, 43% e investimeve të huaja direkte në tremujorin e parë u përqendruan në sektorin e pronave, ndërsa pjesa tjetër u shpërnda në ndërmjetësimin financiar me 17%, energjetikë me 9%, komunikacion me 5% dhe hidrokarbure me 4%.
Në vlerë absolute, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohen në rreth 174 milionë euro, duke vendosur një rekord të ri historik për tre muajt e parë të vitit. Interesi i investitorëve të huaj mbetet veçanërisht i lartë në zonat bregdetare, ku çmimet e pronave vazhdojnë të konsiderohen konkurruese krahasuar me tregjet e tjera të rajonit.
Rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme gjatë viteve të fundit ka forcuar më tej interesin për investime në këtë sektor, duke tërhequr blerës që synojnë jo vetëm përdorimin e pronës, por edhe përfitime nga rritja e vlerës së saj në të ardhmen.
Struktura e investimeve tregon gjithashtu se fitimet e riinvestuara mbeten një komponent i rëndësishëm i flukseve hyrëse. Në tremujorin e parë të vitit, fitimet e riinvestuara arritën në 206 milionë euro, ose 51% të totalit të investimeve të huaja direkte. Megjithatë, ato shënuan një rënie prej 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, kapitalet e reja të injektuara në ekonomi arritën në 183 milionë euro, duke regjistruar një rritje vjetore prej 25.3%, çka tregon një interes në rritje të investitorëve të huaj për projekte dhe aktivitete të reja ekonomike në vend.
Investimet e huaja direkte vazhdojnë të luajnë një rol kyç në ekonominë shqiptare, duke ndihmuar financimin e deficitit të llogarisë korrente dhe duke siguruar hyrje të qëndrueshme të valutës së huaj. Sipas Bankës së Shqipërisë, këto flukse kanë qenë ndër faktorët kryesorë që kanë mbështetur forcimin e lekut në vitet e fundit.
Megjithëse niveli rekord i investimeve konsiderohet pozitiv për ekonominë,pesha gjithnjë e më e madhe e sektorit të pasurive të paluajtshme në strukturën e tyre vazhdon të ngrejë diskutime mbi nevojën për diversifikim më të madh drejt sektorëve prodhues, teknologjisë dhe industrive me vlerë të shtuar më të lartë.