Secondary Adv

Remitancat arritën në 274 milionë euro në janar-mars

Paratë e emigrantëve drejt Shqipërisë shënuan rritje të ndjeshme në janar-mars 2026.

Paratë që emigrantët dërgojnë tek familjet e tyre në Shqipëri vijojnë të shënojnë rritje, të mbështetura nga zgjerimi i valës së emigracionit në vitet e fundit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave, remitancat arritën në 274 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2026, duke u rritur me 9.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Tendencë në rritje prej më shumë se një dekade

Që nga viti 2013, remitancat kanë shënuar rritje të vazhdueshme, duke reflektuar një cikël të ri emigracioni që nisi kryesisht pas vitit 2015. Pas rënies së përkohshme gjatë vitit 2020 si pasojë e pandemisë, prurjet nga emigrantët kanë hyrë në një fazë të re zgjerimi, me ritme më të larta rritjeje.

 

Emigracioni mbetet në nivele të larta

Të dhënat e INSTAT tregojnë se migracioni neto në Shqipëri ka mbetur negativ gjatë gjithë periudhës 2011-2025, ndërsa pas pandemisë është thelluar më tej. Mbi 166.4 mijë shqiptarë rezultojnë të kenë emigruar më shumë sesa janë kthyer në periudhën nga 1 janari 2021 deri në vitin 2026. Pas lehtësimit të kufizimeve globale të lëvizjes, migracioni neto arriti në minus 32,853 persona në vitin 2021 dhe minus 32,497 persona në vitin 2022. Tendenca kulmoi në vitin 2024, kur u regjistrua humbja më e madhe e dekadës me një bilanc negativ prej minus 43,761 personash, edhe si rezultat i rishikimeve të lidhura me Censusin e popullsisë.

 

Në vitet 2025-2026 janë larguar mbi 57.3 mijë persona, ose më shumë se 28 mijë persona në vit. Në raport me popullsinë banuese, këto nivele konsiderohen shumë të larta dhe tregojnë se rënia demografike vijon pa shenja ngadalësimi.

 

Rritje e lejeve të qëndrimit në BE

Trendi i emigracionit konfirmohet edhe nga të dhënat e Eurostat. Gjatë periudhës 2021-2024, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhanë 284,585 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë. Në rritje janë veçanërisht lejet e punës, të cilat përbëjnë pothuajse një të tretën e totalit të lejeve dhe janë dyfishuar krahasuar me periudhën para pandemisë.

 

Sipas aktorëve të tregut, burimet kryesore të remitancave mbeten vendet tradicionale të emigracionit shqiptar, si Greqia dhe Italia, ndërsa vitet e fundit është vërejtur rritje e dërgesave edhe nga destinacione të reja si Anglia dhe Gjermania.

 

Si llogariten remitancat

Remitancat përfshihen nga Banka e Shqipërisë në llogarinë korrente të bilancit të pagesave, sipas standardeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (BPM6). Ato përfshijnë të gjitha transfertat monetare që emigrantët dërgojnë tek familjet dhe individët rezidentë në Shqipëri, si përmes kanaleve formale, duke përfshirë bankat, institucionet financiare dhe operatorët e transfertave, ashtu edhe përmes vlerësimeve të prurjeve informale.

 

Për llogaritjen e tyre, Banka e Shqipërisë përdor të dhënat e sistemit bankar, raportimet periodike të subjekteve të licencuara dhe anketa të posaçme pranë familjeve përfituese, me synimin për të pasqyruar sa më saktë flukset reale të remitancave në ekonomi.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat