Skema shtetërore e pensioneve mbetet defiçitare, 106 mln euro subvencionim në 2025
Sistemi i pensioneve mbetet i varur nga subvencionet për shkak të raportit të ulët kontribues-përfitues.
Skema e sigurimeve shoqërore në Shqipëri vijon të përballet me sfida të forta financiare, ndërsa numri i pensionistëve rritet më shpejt se baza e kontribuesve. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), të ardhurat totale gjatë vitit 2025 arritën në 193.9 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale u ngjitën në 204.1 miliardë lekë. Vetëm skema e detyrueshme regjistroi 185.5 miliardë lekë të ardhura kundrejt 195.7 miliardë lekëve shpenzime, duke e mbajtur sistemin të varur nga subvencioni buxhetor prej 10.2 miliardë lekësh, ose rreth 106 milionë euro. Shpenzimet e ISSH-së përbënin 7.72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Raporti kontribues-pensionist mbetet problematik
Një nga sfidat kryesore të sistemit mbetet norma e varësisë. Në vitin 2025 kishte mesatarisht vetëm 1.18 kontribues për çdo pensionist, një raport që kufizon aftësinë e sistemit për të financuar rritje të qëndrueshme të pensioneve vetëm përmes kontributeve. Në fund të vitit, numri i përfituesve të pensioneve arriti në 754,981 persona, nga 721,399 një vit më parë, me rritje 4.7%. Pensionet urbane u rritën me 6%, duke arritur në 668,094 përfitues, ndërsa pensionet rurale ranë me 4.8%, në 86,887 persona.
Nga ana tjetër, numri mesatar i kontribuesve arriti në 870,964 persona, ose 3.2% më shumë se në vitin 2024. Pjesën më të madhe e përbëjnë kontribuesit nga sektori privat, me 559,457 persona ose 64.2% të totalit. Të vetëpunësuarit në bujqësi arritën në 101,088 kontribues, me rritje 13.8%, por përfaqësojnë vetëm 11.6% të sistemit.
Shpenzimet për pensione vijojnë të rriten
Edhe pse të ardhurat nga sigurimet shoqërore u rritën me 10.7% gjatë vitit 2025, shpenzimet u rritën me 8.1%. Në vlerë absolute, pagesat për pensione arritën në 163.9 miliardë lekë, duke përbërë pjesën më të madhe të shpenzimeve të skemës dhe duke mbajtur të lartë presionin mbi financat e sistemit.
Pensionet rurale mbeten dukshëm më të ulëta
Diferencat mes zonave urbane dhe rurale vijojnë të jenë të mëdha. Pensioni mesatar mujor i pleqërisë në zonat urbane ishte 20,123 lekë, ndërsa të ardhurat mesatare mujore të pensionistëve urbanë, së bashku me kompensimet, arrinin në 21,153 lekë. Në zonat rurale, pensioni mesatar i pleqërisë ishte vetëm 12,313 lekë, ndërsa të ardhurat mujore mesatare arrinin në 12,866 lekë.
Hendeku është edhe më i theksuar te pensionet familjare. Në qytet, pensioni mesatar familjar ishte 9,490 lekë në muaj, ndërsa në zonat rurale vetëm 1,716 lekë. Pavarësisht rritjes graduale të pensioneve në vitet e fundit, diferencat mbeten të konsiderueshme. Pensioni mesatar urban i pleqërisë u rrit nga 17,258 lekë në vitin 2021 në 20,123 lekë në vitin 2025, ndërsa ai rural nga 9,295 lekë në 11,878 lekë.
Pensionet e pjesshme dominojnë në qytete
Në fund të vitit 2025, pensionet urbane të pleqërisë arritën në 562,924, ose 84.3% të pensioneve urbane. Brenda kësaj kategorie, pensionet e pjesshme rezultojnë më të shumta se ato të plota. ISSH raportoi 237,977 pensione të plota dhe 321,522 pensione të pjesshme, duke treguar se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve dalin në pension pa plotësuar të gjithë periudhën kontributive, gjë që ndikon drejtpërdrejt në nivelin e përfitimit.
Në zonat rurale kishte 78,161 pensione pleqërie, prej të cilave 45,700 ishin pensione të plota dhe 32,461 pensione të pjesshme. Megjithëse numri i pensioneve rurale është në rënie, niveli i ulët i përfitimit mbetet një nga problemet kryesore të kësaj kategorie.
Diferenca gjinore te pensionet e reja
Gjatë vitit 2025 u lidhën 42,905 pensione të reja, ku 22,787 i përkisnin meshkujve dhe 20,118 femrave. Masa mesatare mujore e pensioneve të reja ishte 18,340 lekë për meshkujt dhe 14,408 lekë për femrat, ndërsa mesatarja totale ishte 16,496 lekë. Sipas ISSH-së, për pensionet e reja të pleqërisë shkalla e zëvendësimit ndaj pagës mesatare neto ishte 64.3%, ndërsa ndaj pagës mesatare bruto 51.7%.
Rritet interesi për sigurimin vullnetar
Sigurimi vullnetar po fiton më shumë interes, veçanërisht nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Në vitin 2025, skema kishte 6,153 kontribues fizikë dhe 8,801 vite-njerëz kontribute, me 912 milionë lekë kontribute të mbledhura. Nga totali, 2,393 kontribues ose 38.9% jetonin jashtë Shqipërisë.
Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të sigurimit vullnetar lidhet me mbulimin e periudhave të kaluara, që përbëjnë 64.4% të rasteve, ndërsa 35.4% lidhen me sigurimin aktual. Sipas grupmoshave, 63.5% e kontribuesve vullnetarë janë mbi 50 vjeç, duke reflektuar interesin për plotësimin e viteve të nevojshme për pension.
Sfida kryesore mbetet qëndrueshmëria financiare
Në aspektin administrativ, ISSH raportoi se kërkesat për pension pleqërie u përpunuan mesatarisht brenda 25.7 ditësh, pensionet e invaliditetit në 28.2 ditë dhe pensionet familjare në 25.7 ditë. Pensionet e lidhura brenda afateve përbënin 98.3% të rasteve për pensionet e pleqërisë, 95.1% për pensionet e invaliditetit dhe 98.2% për pensionet familjare.
Megjithatë, sfida më e madhe e sistemit mbetet strukturore. Skema përballet me një numër në rritje pensionistësh, pensione ende të ulëta, diferenca të konsiderueshme mes zonave urbane dhe rurale, si dhe një raport të dobët mes kontribuesve dhe përfituesve. Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se rritja e të ardhurave nga kontributet ende nuk mjafton për të garantuar pensione më të larta dhe më të barabarta për të moshuarit.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)