Secondary Adv

INSTAT: Rritja ekonomike zbret drejt zeros

Ndërtimi, transportet dhe energjia elektrike shkaktojnë rënien prej 0.61%. Shifra pozitive nga bujqësia dhe shërbimet.


Ekonomia bën hap prapa në tremujorin e dytë të vitit 2014 me një rënie prej 0.61%. Kjo u pohua dje, zyrtarisht nga INSTAT. Kjo goditje e zbret rritjen ekonomike për 6-mujorin e parë në 0.45%, shumë larg shifrës 2.1%, që është premtuar për këtë vit. Sipas treguesit të Vlerës së Shtuar Bruto, ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2014 vlerësohet më poshtë kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2013. Kontributin kryesor në rënien e treguesit të Vlerës së Shtuar Bruto e kanë dhënë degët e ekonomisë si ndërtimi me -2,79 pikë për qind, transporti me -0,73 pikë për qind dhe industria me -0,20 pikë për qind. Në degën e industrisë, rënia vërehet në nëndegën “Prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike dhe gazit” me -0,96 pikë për qind.

 

Ndërsa, dega e shërbimeve ka kontribuar pozitivisht me +1,23 pikë për qind dhe “Bujqësia, gjuetia dhe pyjet e peshkimi” me +0,95 pikë për qind. Në degën “Tregti, hotele dhe restorante, kontributi është pozitiv +0,94 pikë për qind. Degët kryesore të ekonomisë për tremujorin e dytë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013 shfaqen si më poshtë: Aktiviteti bujqësor pati rritje prej 3,18%.

 

 

Grupi i Industrive pati rënie prej 1,29%, edhe pse brenda këtij grupi, industria nxjerrëse dha ndikim pozitiv me një rrite 7,56%. Ecuria e grupit u ndikua nga performanca negative e industrisë përpunuese me 6,62%, e udhëhequr nga nëndega e energjisë elektrike, e cila pati një rënie me 29,20%. Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2014 pati rënie prej 22,39% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013.
Grupi i degëve “Tregti, hotele dhe restorante” pati një rritje prej 7,09%. Në këtë grup, tregtia pati një rritje prej 8,12%, ndërsa hotelet dhe restorantet patën rritje me vetëm 0,69%.


Ndërkaq, aktiviteti i transportit, vijon të shënojë rënie, ai zbriti me 23,05% në tremujorin e dytë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Kjo rënie është e ndikuar nga performanca e keqe e transportit ajror.
Grupi “Posta dhe Komunikacioni” u shfaq me një rënie prej 1,02% në tremujorin e dytë të vitit 2014 përkundrejt tremujorit të dytë të vitit 2013.


Ndërsa grupimi i shërbimeve në këtë periudhë pati rritje me 4,55%. Në këtë grup, ndikim pozitiv dhanë pothuajse të gjithë sektorët si: administrata publike, arsimi, shëndetësia, sektori financiar dhe aktivitetet e tjera të shërbimit kolektiv, social, kulturor etj. Ndërsa me rënie u shfaq sektori i pasurive të patundshme, rentës dhe aktiviteteve ndihmëse të biznesit (aktivitete ligjore, të arkitekturës, inxhinierike, si dhe konsulenca financiare, komerciale etj). Sa u përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto vlerësohet me një rritje minimale 0,38%.


Krahasimi


Drejtori i Institutit të Statistikave, Gjergj Filipi, tha se, “Kjo rënie nuk është e papritur, sepse tremujori i dytë i vitit 2013 ka qenë i pazakontë në intensitetin e tij”. Sipas INSTAT, shifra negative e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë është e lidhur me bazën e lartë të krahasimit, pasi vitin e kaluar tremujori i dytë pati një rritje të pazakontë të diktuar nga shpenzimet e larta të qeverisë në prag të zgjedhjeve. “Është tremujori më i lartë, pra i dyti i vitit 2013, i performancës ekonomike si tremujor, që nga tremujori i parë i vitit 2009.


Ky tremujor i dytë i 2014-s, krahasohet me majën e tremujorit të dytë të vitit 2013. Për rrjedhojë, ritmika vjetore, merr me vete krahasimin me një ecuri të pazakontë të lartë në të shkuarën, prandaj është në tërësinë e vet me rënie ndaj të njëjtit vit më parë”, theksoi Filipi. “Lajmi i mirë është që ka rritje ekonomia ndaj tremujorëve. Ekonomia shqiptare po stabilizohet, me ritme modeste rritjeje, por po stabilizohet”, tha Filipi./Gazeta Shqip


Më të lexuarat