Secondary Adv

Qiratë ditore, Golemi udhëheq rritjen e kërkesës dhe të ofertës, më i shtrenjti në mars

Golemi kryesoi rritjen e kërkesës dhe ofertës për apartamente turistike në mars 2026.

Golemi po shndërrohet në tregun me zgjerimin më të shpejtë të apartamenteve turistike në Shqipëri. Sipas të dhënave të AirDNA, zona regjistroi rritjen më të lartë të kërkesës dhe një nga normat më të forta të zgjerimit të ofertës në vend gjatë marsit 2026. Ndërsa Vlora mbetet tregu më i madh i akomodimit afatshkurtër me mbi 10 mijë listime aktive në muaj dhe Tirana renditet e dyta me më shumë se 5 mijë njësi, ritmet më të larta të rritjes po zhvendosen drejt Golemit dhe Durrësit.

 

Rritja më e shpejtë e ofertës në vend

Sipas AirDNA, numri i listimeve në Golem u rrit me 34% gjatë 12 muajve deri në mars 2026, duke përfaqësuar zgjerimin më të shpejtë të ofertës ndër tregjet kryesore turistike të Shqipërisë. Numri i apartamenteve që jepen me qira ditore arriti në rreth 1,400 në mars 2026, nga 1,043 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Në të njëjtën kohë, netët e qëndrimit u rritën me 45%, norma më e lartë e regjistruar në nivel kombëtar. Sipas analizës së AirDNA, kjo rritje lidhet me hyrjen në treg të njësive të reja akomoduese dhe zgjerimin e inventarit të disponueshëm për turistët.

 

Çmimi më i lartë për natë në Shqipëri

Përveç ritmit të lartë të rritjes, Golemi rezulton edhe tregu me çmimin mesatar më të lartë të qirasë ditore në vend. Në mars 2026, çmimi mesatar për natë arriti në 67.4 euro, duke kaluar lehtësisht Vlorën, ku çmimi mesatar ishte 66.6 euro për natë.

 

Megjithatë, krahasuar me marsin e vitit 2025, çmimi mesatar në Golem ka pësuar një rënie, nga 72.1 euro në 67.4 euro. Në të kundërt, Durrësi regjistroi rritje të qirasë ditore, duke arritur në 62.8 euro për natë nga 59.3 euro një vit më parë.

 

Durrësi, Shëngjini dhe Shkodra me rritje të fortë

Durrësi shënoi gjithashtu një zgjerim të ofertës me 28%, ndërsa Shëngjini dhe Shkodra raportuan rritje të kërkesës me mbi 30%. Ndërkohë, Vlora vazhdon të mbetet tregu më i madh për nga inventari, me më shumë se 10 mijë listime aktive çdo muaj.

 

Tirana ruan pozicion të fortë në treg falë normës më të lartë të zënies, rreth 59%, ndërsa numri i njësive të listuara për qira ditore arrin në rreth 5.3 mijë. Megjithatë, kryeqyteti mbetet ndër tregjet më të lira, me një çmim mesatar prej 42.6 euro për natë, nga 43.2 euro që ishte në mars 2025.

 

Golemi dhe pesha e turizmit të organizuar

Përtej rritjes së shpejtë të apartamenteve me qira ditore, Golemi mbetet një nga qendrat kryesore të turizmit të organizuar në Shqipëri. Zona ka ndërtuar prej më shumë se një dekade një bazë të qëndrueshme hotelerie, e cila mbështetet te grupet e organizuara turistike që mbërrijnë përmes agjencive të huaja.

 

Sezoni i këtij segmenti zakonisht nis në muajin maj dhe zgjat deri në fund të shtatorit, me turistë që zgjedhin paketa all inclusive, half board ose fjetje me mëngjes. Gjatë pjesës tjetër të vitit, Golemi vazhdon të frekuentohet nga turistë individualë, kryesisht nga Kosova, Italia dhe vende të tjera.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat