Raporti i kredive me probleme zbriti në 3.75 për qind në muajin prill
Raporti i kredive me probleme ra në 3.75 për qind në prill, niveli më i ulët që nga viti 2008.
Raporti i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar iu rikthye rënies gjatë muajit prill 2026. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 3.75 për qind, nga 3.85 për qind që kishte qenë në muajin mars. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporti i kredive me probleme ka pësuar gjithashtu rënie, pasi në prill 2025 ishte në nivelin 4.03 për qind.
Ky është niveli më i ulët i raportit të kredive me probleme në 18 vitet e fundit, duke konfirmuar përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së portofolit të kredisë në sektorin bankar.
Stoku i kredive me probleme arrin 36.3 miliardë lekë
Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme vlerësohet në rreth 36.3 miliardë lekë. Megjithatë, pavarësisht rënies së raportit, vlera e kredive të këqija është rritur me 3.4 për qind krahasuar me një vit më parë. Kjo lidhet me zgjerimin e përgjithshëm të portofolit të kredisë, që ka bërë që pesha relative e kredive me probleme të vijojë të bjerë.
Për momentin, treguesi po ruan trajektoren rënëse, pavarësisht shqetësimeve që lidhen me ritmet e shpejta të kreditimit në vitet e fundit. Ecuria pozitive e ekonomisë dhe zgjerimi i vazhdueshëm i portofolit të kredisë kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë së aktiveve bankare.
Kredia për ekonominë vijon zgjerimin
Në fund të muajit prill, teprica e kredisë për ekonominë arriti në 968.2 miliardë lekë, me një rritje prej 9.5 miliardë lekësh krahasuar me muajin mars. Në terma vjetorë, portofoli i kredisë është zgjeruar me 11 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar duket se kanë filluar të japin efekt në ngadalësimin e kreditimit për blerjen e banesave nga individët. Megjithatë, ky ngadalësim është kompensuar nga rritja e kreditimit konsumator dhe përshpejtimi i huadhënies për bizneset.
Rreziqet nga inflacioni dhe normat e interesit
Sektori bankar vazhdon të shfaqë performancë pozitive si në aspektin e rritjes së aktivitetit, ashtu edhe në drejtim të cilësisë së aktiveve dhe rezultateve financiare. Megjithatë, zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë krizën në Lindjen e Mesme dhe rritjen e çmimeve të karburanteve, kanë sjellë disa rreziqe të reja për ekonominë.
Inflacioni në rritje po e bën më të mundshme një shtrëngim të politikave monetare dhe rritje të normave të interesit në muajt e ardhshëm. Sidoqoftë, sipas skenarëve bazë të bankave qendrore, nuk parashikohen devijime të mëdha dhe afatgjata nga objektivat e inflacionit.
Normat më të larta të interesit mund të ndikojnë negativisht në aftësinë e huamarrësve për të shlyer detyrimet dhe të ngadalësojnë kërkesën për kredi të reja. Teorikisht, kjo mund të rrisë rrezikun e shtimit të kredive me probleme, por për sa kohë rritja e normave mbetet e kufizuar, ndikimi në cilësinë e portofolit pritet të jetë i moderuar.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)