Secondary Adv

Të ardhurat nga turizmi arritën në mbi 1 miliard euro në 3-mujorin e parë 2026

Të ardhurat nga turistët e huaj kaluan për herë të parë 1 miliard euro në një tremujor të parë.

Turizmi po konfirmon rolin e tij si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare edhe gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të bilancit të pagesave, turistët e huaj shpenzuan mbi 1 miliard euro në Shqipëri gjatë tremujorit të parë të vitit, duke vendosur një rekord historik për muajt janar-mars dhe duke kaluar për herë të parë këtë prag në një tremujor të parë.

 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur të ardhurat nga turizmi arritën në 874.4 milionë euro, rritja ishte rreth 14.8 për qind. Në raport me vitin 2024, rritja kalon 27 për qind. Vetëm në dy vitet e fundit, ekonomia shqiptare ka përfituar afro 215 milionë euro më shumë nga shpenzimet e turistëve të huaj gjatë tre muajve të parë të vitit.

 

Shqiptarët shtojnë udhëtimet jashtë vendit

Në të njëjtën kohë, edhe shqiptarët kanë vijuar të udhëtojnë jashtë vendit me ritme të larta. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, shpenzimet e tyre për udhëtime jashtë vendit arritën në 640.9 milionë euro, nga 579 milionë euro që ishin një vit më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 10.7 për qind.

 

Megjithatë, ritmi i rritjes së shpenzimeve të turistëve të huaj në Shqipëri ka qenë dukshëm më i lartë se ai i shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit, duke sjellë një përmirësim të mëtejshëm të bilancit turistik.

 

Bilanci neto arrin nivele rekord

Si rezultat i kësaj performance, bilanci neto i turizmit mbeti pozitiv me 362.9 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2026. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, suficiti u rrit me afro 23 për qind.

 

Ky është një nga rezultatet më të larta të regjistruara ndonjëherë për muajt e parë të vitit dhe tregon se turizmi po sjell gjithnjë e më shumë valutë në ekonominë shqiptare. Të dhënat sugjerojnë se Shqipëria po konsolidohet si një destinacion që tërheq jo vetëm më shumë vizitorë, por edhe më shumë shpenzime nga turistët, duke zgjatur efektet pozitive përtej sezonit tradicional veror.

 

Ndikimi në kursin e këmbimit

Rritja e të ardhurave nga turizmi po ndikon drejtpërdrejt edhe në tregun valutor. Hyrja e mbi 1 miliard eurove nga turistët e huaj vetëm gjatë tremujorit të parë rrit ofertën e valutës në ekonomi dhe ushtron presion për forcimin e lekut kundrejt euros.

 

Ky fenomen është bërë gjithnjë e më i dukshëm gjatë viteve të fundit, veçanërisht në periudhat me flukse të larta turistike. Sasia e shtuar e valutës që hyn në vend nga vizitorët e huaj ka kontribuar në dobësimin e euros në tregun vendas dhe në forcimin relativ të monedhës kombëtare.

 

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së shpenzimeve të shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit, të ardhurat që gjenerohen nga turistët e huaj vazhdojnë të mbeten ndjeshëm më të larta, duke ruajtur një bilanc pozitiv dhe duke mbështetur ekonominë shqiptare me flukse të rëndësishme valutore.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat