Bypassi i Elbasanit kalon fazën e ofertave, nis vlerësimi i tenderëve me vlerë 5.8 mld lekë
ARRSH do të shqyrtojë ofertat për dy lotet e para të projektit me vlerë rreth 5.8 miliardë lekë.
Procedurat tenderuese për ndërtimin e dy loteve të para të bypass-it të Elbasanit kanë hyrë në fazën e shqyrtimit të ofertave, pasi afati për dorëzimin e tyre u mbyll më 10 qershor pa asnjë ankesë nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës. Përfundimi i kësaj etape i hap rrugën Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) për të vijuar me vlerësimin e propozimeve dhe përzgjedhjen e kompanive që do të realizojnë segmentet e para të projektit.
Tenderët kanë një fond limit total prej rreth 5.8 miliardë lekësh dhe lidhen me ndërtimin e rrugës që do të lidhë aksin Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII. Segmenti parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 4 kilometrash dhe përbën pjesën fillestare të bypass-it të Elbasanit.
Segment strategjik për qarkullimin dhe Korridorin VIII
Traseja e projektit nis përpara rrethrrotullimit të Bradasheshit dhe përfundon pranë ish-Kombinatit Metalurgjik. Investimi synon të lehtësojë ndjeshëm trafikun në hyrje dhe dalje të autostradës Tiranë–Elbasan, veçanërisht në zonën e Bradasheshit, e cila prej vitesh konsiderohet një nga nyjet më problematike për qarkullimin e automjeteve.
Bypass-i i Elbasanit është pjesë integrale e Korridorit VIII Pan-Europian dhe do të krijojë lidhjen ndërmjet dy segmenteve kryesore që janë aktualisht në zhvillim, Elbasan–Lekaj dhe Elbasan–Qafë Thanë. Projekti konsiderohet me rëndësi strategjike për përmirësimin e lidhjeve rrugore brenda vendit dhe me rrjetet ndërkombëtare të transportit.
Investim me vlerë 240 milionë euro
Sipas parashikimeve, realizimi i bypass-it do të sjellë ulje të kohës së udhëtimit, reduktim të ndotjes së ajrit në qytetin e Elbasanit dhe rritje të sigurisë rrugore. Projekti është përfshirë në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027–2029 në kategorinë e investimeve të maturuara.
Kostoja totale e vlerësuar e bypass-it të Elbasanit arrin në rreth 240 milionë euro, duke e renditur atë ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore të planifikuara në vitet e ardhshme.