Sejko: Forcimi i Lekut nga përmirësimi i ekonomisë, efekti i luftës minimal
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se ekonomia shqiptare mbetet e qëndrueshme, ndërsa efektet e tensioneve ndërkombëtare priten të jenë afatshkurtra.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025 në Kuvend, deklaroi se forcimi i lekut gjatë viteve të fundit lidhet me përmirësimin strukturor të ekonomisë shqiptare dhe pozicionit të saj të jashtëm. Sipas tij, edhe gjatë vitit 2025 kursi i këmbimit vijoi tendencën e mbiçmimit, megjithëse me ritme më të moderuara.
Sejko theksoi se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2026 përbën një goditje negative për ekonominë shqiptare dhe partnerët tregtarë, por vlerësimet aktuale tregojnë se ndikimi do të jetë i kufizuar dhe afatshkurtër.
“Megjithatë, në gjykimin tonë, ndikimi mbi ekonominë shqiptare vlerësohet të jetë i kufizuar dhe afatshkurtër. Ekonomia jonë ka një ekspozim relativisht të moderuar ndaj kësaj goditjeje, si dhe gëzon hapësira të mjaftueshme për një reagim të kujdesshëm dhe proporcional të politikave publike. Në këtë kontekst, dëshiroj t’Ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes ecurinë e inflacionit, duke synuar të reagojë në kohën e duhur për të shmangur efektet e raundit të dytë dhe për të garantuar stabilitetin e çmimeve në ekonomi”, tha Sejko.
Ekonomia u rrit me 3.8 për qind në vitin 2025
Sipas raportit të prezantuar nga guvernatori, ekonomia shqiptare pati një ecuri pozitive gjatë vitit 2025. Aktiviteti ekonomik u zgjerua me 3.8 për qind, i mbështetur nga rritja e konsumit, investimeve, turizmit dhe kreditimit. Rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit, ndërsa bujqësia dhe industria vijuan të shfaqin dobësi.
Tregu i punës shënoi përmirësim të mëtejshëm, me punësimin në sektorin privat jobujqësor që u rrit me 5.7 për qind dhe pagat me 8.5 për qind. Norma e papunësisë mbeti pranë niveleve më të ulëta të tre dekadave të fundit. Inflacioni mesatar gjatë vitit 2025 ishte 2.2 për qind, i njëjtë me vitin paraardhës dhe pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Forcohet pozicioni i jashtëm i ekonomisë
Guvernatori nënvizoi se eksportet shqiptare arritën nivelin rekord prej 10 miliardë eurosh gjatë vitit 2025, me një rritje prej 10.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Paralelisht, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 0.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa borxhi i jashtëm ra në 38 për qind të PBB-së.
Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë arritën në 7.3 miliardë euro, duke reflektuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe më rezistente ndaj goditjeve të jashtme. Sipas Sejkos, këto zhvillime kanë qenë një faktor kyç në forcimin gradual të lekut.
Politika monetare më lehtësuese
Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë ndoqi një politikë monetare më lehtësuese. Norma bazë e interesit u ul në 2.5 për qind në muajin korrik, ndërsa banka rriti praninë në tregun valutor për të zbutur luhatjet e kursit të këmbimit dhe për të parandaluar devijimet nga faktorët themelorë të ekonomisë.
Këto masa kontribuuan në ruajtjen e normave të ulëta të interesit, stabilitetin e tregjeve financiare dhe zgjerimin e kreditimit për sektorin privat. Kredia për ekonominë u rrit me 14.4 për qind gjatë vitit 2025, e nxitur kryesisht nga kreditimi në lekë dhe financimi i investimeve të bizneseve.
Sektori bankar në nivele historike stabiliteti
Raporti evidenton se sistemi bankar shqiptar vijoi të përmirësojë treguesit e tij financiarë. Raporti i kredive me probleme zbriti në 3.8 për qind, niveli më i ulët që nga viti 2008. Ndërkohë, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 20.36 për qind, ndërsa sektori ruajti nivele të larta likuiditeti dhe përfitueshmërie.
Banka e Shqipërisë ndërmori gjithashtu masa të reja makroprudenciale për të kufizuar rreziqet që lidhen me tregun e pasurive të paluajtshme, duke vendosur kufizime për raportin mes kredisë dhe vlerës së kolateralit, si dhe për raportin mes shërbimit të borxhit dhe të ardhurave.
SEPA dhe integrimi europian
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2025 ishte anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA dhe nisja e transaksioneve në muajin tetor. Sipas Sejkos, vetëm në tremujorin e fundit të vitit u realizuan rreth 166 mijë transaksione SEPA me një vlerë totale prej 2.2 miliardë eurosh.
Banka e Shqipërisë vijoi gjithashtu punën për përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit europian, veçanërisht në kapitujt që lidhen me lëvizjen e kapitalit, politikat ekonomike dhe monetare, shërbimet financiare dhe statistikat.
Sfidat mbeten të pranishme
Në përfundim të raportimit, guvernatori theksoi se pavarësisht rezultateve pozitive, ekonomia shqiptare vijon të përballet me sfida që lidhen me pasiguritë ndërkombëtare, tensionet gjeopolitike, luhatjet e çmimeve të energjisë dhe nevojën për reforma strukturore që rrisin produktivitetin dhe potencialin afatgjatë të zhvillimit.
Ai garantoi se Banka e Shqipërisë do të vijojë të ushtrojë mandatin e saj me profesionalizëm dhe pavarësi, duke ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)