Secondary Adv

Tregu i auditimeve rritet në 1.6 mld lekë, dominojnë shoqëritë e mëdha

Tregu i auditimit në Shqipëri po zgjerohet në mënyrë të qëndrueshme, me rritje të të ardhurave dhe dominim të qartë të shoqërive të auditimit, ndërsa konkurrenca mbetet e përqendruar te disa aktorë kryesorë.

Sipas raportit vjetor të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, në fund të vitit 2025, në treg operonin 260 auditues ligjorë, përfshirë 153 që ushtronin aktivitetin si individë, 79 shoqëri auditimi dhe 28 auditues të punësuar pranë këtyre shoqërive. Gjatë vitit janë realizuar rreth 3,841 auditime ligjore, ndërsa qarkullimi total i sektorit arriti në 1,604 milionë lekë, ose rreth 16.57 milionë euro, me një rritje prej 9.8% krahasuar me një vit më parë.

 

Rritja e të ardhurave është e dukshme edhe në trendin afatgjatë, ku tregu është zgjeruar nga 802 milionë lekë në vitin 2018 në 1,604 milionë lekë në vitin 2025, duke reflektuar rritjen e kërkesës për shërbime auditimi dhe konsolidimin e aktivitetit në këtë sektor. Shoqëritë e auditimit dominojnë tregun, duke gjeneruar rreth 70% të të ardhurave nga auditimet, ndërsa audituesit individualë mbajnë rreth 30%.

 

Struktura e të ardhurave tregon gjithashtu një ndarje të qëndrueshme mes njësive me interes publik dhe atyre jo me interes publik. Në vitin 2025, të ardhurat nga auditimi për këto dy kategori janë rritur paralelisht, duke arritur në 802 milionë lekë secila, nga 779 dhe 681 milionë lekë përkatësisht në vitin 2024, çka tregon zgjerim të përgjithshëm të tregut në të dy segmentet.

 

Përveç auditimeve, një peshë të konsiderueshme në të ardhurat e sektorit zënë edhe shërbimet e tjera profesionale, të cilat në vitin 2025 arritën në rreth 1,464 milionë lekë, ose afërsisht 15 milionë euro. Këto përfshijnë angazhime si rritje kapitali, bashkime dhe ndarje kompanish, vlerësime aktivesh, ekspertiza gjyqësore, si dhe shërbime kontabiliteti dhe konsulence. Edhe në këtë segment, shoqëritë e auditimit mbajnë peshën kryesore, me rreth 62% të të ardhurave.

 

Nga ana e konkurrencës, tregu paraqet një përqendrim të lartë te kompanitë kryesore. Për auditimet e njësive me interes publik, në krye renditet E&Y EKA – Dega në Shqipëri me 11.40% të honorarëve, e ndjekur nga INTRUST me 10.71%, FORVIS MAZARS me 8.99%, KRESTON Albania me 8.95% dhe RSM Albania me 8.43%. Ndërsa për totalin e shërbimeve të auditimit, kryeson FORVIS MAZARS me 8.80%, e ndjekur nga INTRUST me 8.65%, KRESTON Albania me 8.16% dhe Ernst & Young me 7.85%.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat