Pagesat nëpërmjet bankës u rritën me 22 për qind për tremujorin e parë
Mbi 16 milionë pagesa u kryen përmes sistemit bankar në tre muajt e parë të vitit 2026, me rritje të ndjeshme të përdorimit të kartave dhe kanaleve elektronike.

Përdorimi i shërbimeve bankare për pagesa nga individët dhe bizneset vijoi të zgjerohet gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në periudhën janar-mars u kryen mbi 16 milionë transaksione pagesash përmes sistemit bankar, duke shënuar një rritje prej 22 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Paralelisht me rritjen e numrit të veprimeve, është zgjeruar edhe vlera e tyre. Totali i transaksioneve të realizuara arriti në 1.99 trilionë lekë, ose 18 për qind më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2025.
Pagesat me kartë mbeten forma kryesore
Në strukturën e pagesave bankare, peshën kryesore vazhdojnë ta mbajnë pagesat me karta bankare. Gjatë tre muajve të parë të vitit u regjistruan rreth 10.9 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS), duke përfaqësuar afërsisht 68 për qind të të gjitha transaksioneve të kryera nëpërmjet sektorit bankar.
Numri i pagesave me kartë u rrit me 24 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars 2026 numri i kartave aktive kishte arritur në 1.66 milionë, me një rritje vjetore prej 7.8 për qind.
Transfertat elektronike po fitojnë terren
Grupi i dytë më i madh i pagesave përbëhet nga transfertat e kreditimit të nisura nga klientët, të cilat përfshijnë pagesat e kryera në degët bankare dhe ato të realizuara përmes internet banking apo kanaleve të tjera elektronike.
Në tremujorin e parë të vitit, klientët kryen gjithsej 4.6 milionë transferta kreditimi nga llogaritë e tyre, të cilat përbënin rreth 29 për qind të të gjitha transaksioneve bankare.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se kanalet elektronike po dominojnë gjithnjë e më shumë transfertat bankare. Rreth 67 për qind e numrit total të këtyre veprimeve u realizuan në formë joletër, përmes platformave digjitale të bankave.
Një peshë më të vogël në strukturën e pagesave zënë debitimet direkte, pagesat me para elektronike dhe përdorimi i çeqeve.
Më pak para fizike, më shumë pagesa bankare
Rritja e transaksioneve bankare lidhet jo vetëm me zgjerimin e aktivitetit ekonomik, por edhe me kalimin gradual të pagesave nga paraja fizike drejt instrumenteve bankare dhe digjitale. Ky trend po reflektohet edhe në rritjen e numrit të llogarive bankare në vend.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 numri i llogarive bankare arriti në 4.16 milionë, me një rritje prej 20.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar u shtuan më shumë se 710 mijë llogari të reja bankare.
Zgjerimi i numrit të llogarive konsiderohet një tregues i rritjes së përdorimit të produkteve dhe shërbimeve financiare në ekonomi dhe i përfshirjes më të madhe të qytetarëve në sistemin bankar.
Ligji për llogaritë bazike ka dhënë ndikim
Në rritjen e numrit të llogarive bankare ka ndikuar edhe ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili hyri në fuqi gjatë vitit 2024. Ky ligj detyron të gjitha bankat të ofrojnë llogari bazike për qytetarët, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit apo historikut të aftësisë paguese.
Përmes kësaj skeme, bankat duhet të ofrojnë shërbime bazike pagesash pa tarifa ose me tarifa të arsyeshme. Për përfituesit e skemave të ndihmës ekonomike dhe sociale, këto shërbime duhet të ofrohen pa asnjë tarifë.
Kjo politikë ka ndihmuar në zgjerimin e aksesit në shërbimet financiare dhe në rritjen e përdorimit të pagesave bankare në të gjithë vendin.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)