Secondary Adv

Euro thyen rekorde të reja ditë pas dite, zbret poshtë 94.9 lekëve

Forcimi i lekut vijon me ritme të shpejta, ndërsa turizmi, investimet e huaja dhe flukset valutore po shtojnë presionin mbi euron.

Monedha europiane ka shënuar një tjetër rekord negativ në tregun valutor shqiptar, duke zbritur për herë të parë nën nivelin e 94.9 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, euro u këmbye me 94.89 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

 

Që nga fillimi i vitit 2026, euro ka humbur rreth 1.9 për qind të vlerës kundrejt lekut, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rënia ka arritur në 3.2 për qind. Kjo tendencë konfirmon forcimin e vazhdueshëm të monedhës shqiptare, i cili ka qenë i dukshëm gjatë viteve të fundit.

 

Sezoni turistik po shton ofertën e valutës

Sipas operatorëve të tregut valutor, nisja e sezonit veror ka sjellë një rritje të ndjeshme të ofertës së euros në treg. Flukset që vijnë nga turistët e huaj, remitancat e emigrantëve dhe aktivitetet ekonomike të lidhura me sezonin veror po ushtrojnë presion të fortë mbi kursin e këmbimit.

 

Ekspertët vlerësojnë se periudha qershor-gusht tradicionalisht shoqërohet me forcim të lekut, ndërsa këtë vit presionet janë shfaqur që në tremujorin e parë dhe po intensifikohen me hyrjen në kulmin e sezonit turistik.

 

Investimet në pasuri të paluajtshme ndikojnë kursin

Përveç turizmit, një rol të rëndësishëm në rritjen e ofertës valutore po luajnë edhe investimet e huaja, veçanërisht ato në sektorin e pasurive të paluajtshme. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke vendosur një rekord historik për këtë periudhë.

 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e huaja u rritën me 11.6 për qind. Brenda tyre, investimet në sektorin e pasurive të paluajtshme arritën në 174 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një tremujor të parë dhe që përfaqëson 43 për qind të totalit të investimeve të huaja direkte.

 

Sektori i pasurive të paluajtshme konsiderohet një nga burimet kryesore të hyrjes së valutës në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e lekut.

 

Banka e Shqipërisë vijon ndërhyrjet në treg

Burime nga tregu valutor bëjnë të ditur se Banka e Shqipërisë vazhdon të ndërhyjë në treg për të blerë valutë dhe për të zbutur ritmet e mbiçmimit të lekut. Megjithatë, ndërhyrjet nuk kanë arritur ta frenojnë plotësisht tendencën e forcimit të monedhës vendase.

 

Gjatë viteve 2024 dhe 2025, Banka e Shqipërisë bleu më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor. Sasitë e blera gjatë vitit 2026 ende nuk janë bërë publike.

 

Sfida mes inflacionit dhe kursit të këmbimit

Forcimi i lekut po ndodh në një kohë kur inflacioni ka arritur pranë objektivit prej 3 për qind. Në këto kushte, ndërhyrjet e mëtejshme të Bankës së Shqipërisë për blerjen e euros bëhen më të vështira, pasi injektimi i sasive të reja të lekut në ekonomi mund të ushqejë presione shtesë inflacioniste.

 

Nga ana tjetër, një lek më i fortë ndihmon në zbutjen e inflacionit duke ulur koston e importeve, por njëkohësisht krijon vështirësi për eksportuesit, bizneset që operojnë me kontrata në euro dhe sektorët që sigurojnë të ardhura në valutë.

 

Me euron që ka zbritur tashmë nën nivelin e 94.9 lekëve, vëmendja e tregut mbetet e përqendruar te ecuria e sezonit turistik dhe flukset valutore të muajve të verës, të cilat mund të ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi monedhën europiane.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat