Investime në zonat turistike, tender mbi 40 mln lekë për ujësjellësin në Palasë, Drimadhë e Dhërmi
Dy projekte të reja synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë dhe trajtimin e ujërave të ndotura në Rivierën e Jugut.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë Sh.A ka shpallur dy procedura tenderuese me vlerë totale mbi 40 milionë lekë, të fokusuara në përmirësimin e infrastrukturës së ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në zonat turistike të Palasës, Drimadhës dhe Dhërmiut. Investimet synojnë të përballojnë rritjen e kërkesës për shërbime bazë si pasojë e zhvillimit urban dhe zgjerimit të aktivitetit turistik në këto zona.
Projekti për furnizimin me ujë të pijshëm
Tenderi i parë lidhet me studim-projektimin për furnizimin me ujë të pijshëm të zonave Palasë, Drimadhë dhe Dhërmi, Faza IV, me një fond limit prej 20.823 milionë lekësh. Projekti parashikon vazhdimin e linjës së transmetimit të ujit pas përfundimit të Fazës III në dalje të tunelit të Llogarasë, si dhe ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes për zonat përfituese.
Zona e projektit përfshin territorin e shpallur si zonë investimesh strategjike me rëndësi kombëtare për zhvillimin e turizmit. Synimi është garantimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë të pijshëm, në kushtet kur fluksi turistik dhe zhvillimi i shpejtë urban kanë rritur ndjeshëm kërkesën, veçanërisht gjatë sezonit veror kur burimet ujore karstike arrijnë nivelet minimale.
Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti do të parashikojë integrimin e rrjetit ekzistues me rrjetin e ri shpërndarës, garantimin e presioneve të nevojshme në rrjet dhe vlerësimin e kapaciteteve aktuale të rezervuarëve, si dhe nevojën për ndërtimin e depove të reja akumuluese.
Sistem i ri për ujërat e ndotura në Drimadhë
Procedura e dytë tenderuese ka të bëjë me studim-projektimin e sistemit të mbledhjes së ujërave të ndotura në zonën e Drimadhës dhe ndërtimin e impiantit të trajtimit të tyre. Fondi limit i këtij projekti është 19.477 milionë lekë.
Zhvillimi intensiv i zonës ka rritur presionin mbi mjedisin, ndërsa mungesa e një sistemi të integruar kanalizimesh ka krijuar rrezik për ndotjen e ujërave detare dhe nëntokësore. Aktualisht ekzistojnë rrjete të fragmentuara kanalizimesh që nuk lidhen me një sistem të përbashkët trajtimi, situatë që bëhet më problematike gjatë sezonit turistik kur popullsia sezonale shumëfishohet.
Projekti synon krijimin e një rrjeti të unifikuar kanalizimesh që do të mbledhë ujërat e ndotura nga zonat ekzistuese dhe ato në zhvillim, duke i transferuar drejt një impianti modern trajtimi. Përmes këtij investimi synohet përmirësimi i kushteve higjieno-sanitare, mbrojtja e ekosistemeve natyrore të Rivierës Shqiptare dhe krijimi i kushteve më të mira për zhvillimin afatgjatë të turizmit dhe ekonomisë lokale.