850 mln lekë për rrugët, FSHZH investon në Shëngjin, Koplik, Konispol dhe Elbasan
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur dy tenderë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Shëngjin, Koplik, Konispol dhe Elbasan.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur dy procedura të rëndësishme tenderuese me një fond të përgjithshëm prej afro 850 milionë lekësh për investime në infrastrukturën rrugore në disa prej zonave me potencial të lartë ekonomik dhe turistik të vendit. Projektet synojnë të përmirësojnë aksesin, lidhjet rajonale dhe lëvizshmërinë e qytetarëve në Shëngjin, Koplik, Konispol dhe Elbasan.
Mbi 518 milionë lekë për Shëngjinin dhe Koplikun
Tenderi i parë ka një fond limit prej 518 milionë lekësh dhe përfshin sistemimin dhe asfaltimin e rrugës në hyrje të qytetit të Koplikut, segmentin që lidh daljen e qytetit me Bajzën, si dhe përfundimin e punimeve në bypass-in e Shëngjinit.
Bypass-i i Shëngjinit, i konsideruar një investim me rëndësi strategjike për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, ndodhet aktualisht në proces ndërtimi. Sipas dokumentacionit teknik, punimet janë realizuar deri në shtresën e çakëllit, ndërsa faza e re do të fokusohet në përfundimin e paketës rrugore dhe instalimin e të gjithë elementëve të sigurisë dhe funksionalitetit.
Në Koplik do të rikonstruktohen rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit. Projekti përfshin dy segmente kryesore: segmentin nga rrethrrotullimi në hyrje të qytetit deri në qendër dhe segmentin nga qendra drejt rrethrrotullimit në dalje të qytetit në drejtim të Bajzës. Dy segmentet kanë një gjatësi totale mbi 3 kilometra dhe kalojnë në zona me karakter urban dhe bujqësor, duke synuar përmirësimin e qarkullimit dhe aksesit për banorët.
Investime në Konispol dhe Elbasan
Tenderi i dytë, me fond limit mbi 331 milionë lekë, përfshin rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit të Konispolit dhe sistemimin e rrugës “Bajram Curri” në Elbasan.
Në Konispol ndërhyrja do të realizohet në një segment rrugor me gjatësi rreth 1.7 kilometra, që shërben si hyrja kryesore e qytetit. Sipas verifikimeve teknike, rruga aktuale paraqet dëmtime të konsiderueshme në shtresat asfaltike, deformime të trupit rrugor dhe mungesë të elementëve të sigurisë rrugore. Investimi synon të përmirësojë kushtet e lëvizjes dhe aksesin për banorët dhe shërbimet publike në qytetin më jugor të vendit.
Në Elbasan, projekti parashikon rikonstruksionin e rrugës “Bajram Curri”, një aks urban me gjatësi 480 metra, i përdorur gjerësisht nga banorët dhe bizneset e zonës. Ndërhyrja synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Këto investime janë pjesë e programeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për modernizimin e infrastrukturës lokale dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik e turistik në rajone të ndryshme të vendit.