Secondary Adv

Rruga dytësore Tiranë-Durrës drejt rikonstruksionit, Bashkia Tiranë hap tenderin 595 mln lekë

Bashkia e Tiranës hap tenderin për rehabilitimin e aksit dytësor deri te mbikalimi i Kasharit.

Bashkia e Tiranës ka shpallur hapjen e garës për rikonstruksionin e aksit dytësor Tiranë-Durrës, deri te mbikalimi i Kasharit, me një fond limit prej 594 milionë e 907 mijë lekësh. Projekti synon modernizimin e një prej akseve më të rëndësishme për qarkullimin dhe aksesin në zonat industriale dhe rezidenciale në perëndim të kryeqytetit.

 

Ndërhyrje në një aks me rëndësi të lartë për trafikun

Aksi rrugor nis nga rrethrrotullimi pranë spitalit Hygea dhe përfundon te mbikalimi i Rinasit, në afërsi të Megatek. Në krahun e djathtë të tij ndodhen një numër i madh objektesh industriale, si edhe fshatra të zonës, përfshirë Laknasin dhe Domjen. Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, rruga ka një gjatësi totale prej rreth 6.839 metrash linearë dhe përbëhet nga një karrexhatë me dy korsi, secila me gjerësi 3.25 metra.

 

Projekti parashikon trajtimin e plotë të aksit me elementët e nevojshëm të infrastrukturës moderne rrugore. Ndërhyrjet do të përfshijnë ndërtimin e shtresave rrugore, rikonstruksionin e trotuareve, instalimin e ndriçimit publik, sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha, gjelbërimin dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore.

 

Problematikat e evidentuara në terren

Sipas dokumentacionit teknik, rruga ka një rol të rëndësishëm jo vetëm për aksesimin e bizneseve dhe zonave të banuara, por edhe për shpërndarjen e fluksit të automjeteve në periudhat me trafik të rënduar. Ajo shërben si alternativë për automjetet që hyjnë ose dalin nga Tirana, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Rritja e numrit të banorëve dhe zhvillimi i ndërtimeve rezidenciale në zonë kanë shtuar ndjeshëm përdorimin e këtij aksi, duke rritur nevojën për përmirësimin e infrastrukturës.

 

Inspektimet në terren kanë evidentuar dëmtime të konsiderueshme në disa segmente të rrugës, ku shtresat asfaltike paraqesin gropa dhe degradim, ndërsa në pjesë të tjera janë konstatuar çarje sipërfaqësore. Po ashtu, trotuaret ekzistuese janë ndërtuar me beton të varfër dhe nuk plotësojnë standardet e kërkuara për një infrastrukturë urbane të sigurt dhe funksionale.

 

Përmirësim i kanalizimeve dhe sigurisë rrugore

Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet edhe me ndërhyrjet në sistemin e kanalizimeve ekzistuese. Parashikohet ndërtimi i disa pusetave të reja ndërmjet segmenteve aktuale, me synimin për të rritur eficencën e kullimit të ujërave dhe për të parandaluar përmbytjet gjatë reshjeve. Sipas dokumentit të Agjencisë së Prokurimit Publik, investimi synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë për përdoruesit dhe lehtësimin e qarkullimit në një nga akset më të frekuentuara të zonës.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat