Secondary Adv

Turizmi, hapet tenderi për zhvillimin e aftësive, pjesë e programit 106 mln euro

Fondi Shqiptar i Zhvillimit hap procedurën për zhvillimin e aftësive profesionale në turizëm.

Rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve në Shqipëri po shoqërohet me nevojën për më shumë staf të kualifikuar në sektor. Për t’iu përgjigjur kësaj sfide, është hapur një procedurë ndërkombëtare në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që synon zhvillimin e aftësive profesionale në sistemet lokale të turizmit. Projekti është pjesë e programit “Albania Infrastructure and Tourism-Enabling Programme” dhe parashikon shërbime konsulence për hartimin dhe zbatimin e programeve të trajnimit profesional në territoret pilot të projektit.

 

Trajnime për të adresuar mungesën e aftësive

Procedura ka si klient Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili është edhe agjencia zbatuese e programit. Sipas dokumenteve të tenderit, objektivi kryesor është forcimi i bazës së aftësive profesionale dhe rritja e punësueshmërisë në sistemet lokale të turizmit, duke adresuar boshllëqet e identifikuara nga vlerësimet e nevojave për aftësi në sektor. Tenderi do të zhvillohet si procedurë e hapur ndërkombëtare me dy zarfe, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është caktuar më 3 gusht 2026, në orën 12:00.

 

Pjesë e një programi me financim 106 milionë euro

Komponenti për zhvillimin e aftësive profesionale është pjesë e një programi më të gjerë me vlerë rreth 106 milionë euro. BERZH ka akorduar një hua sovrane deri në 60 milionë euro për qeverinë shqiptare, ndërsa Bashkimi Europian bashkëfinancon programin me një grant investimesh prej 46 milionë eurosh.

 

Programi synon të mbështesë zhvillimin e turizmit përmes investimeve në infrastrukturë, trashëgimi kulturore, site natyrore dhe ekonomi lokale në zona me potencial të lartë turistik, përfshirë Beratin, Korçën, Shkodrën dhe Fierin. Në kuadër të tij janë përfshirë projekte për rehabilitimin e monumenteve dhe siteve të trashëgimisë kulturore e historike, përmirësimin e destinacioneve natyrore, rrugëve dhe infrastrukturës komunale, si dhe forcimin e zinxhirit lokal të vlerës në turizëm.

 

Shërbime më cilësore për një sektor në rritje

Programet e trajnimit që do të zhvillohen në kuadër të kësaj nisme pritet të lidhen drejtpërdrejt me nevojat e tregut të punës. Synimi është që investimet në destinacionet turistike dhe infrastrukturën mbështetëse të shoqërohen me shërbime më të kualifikuara, duke rritur cilësinë e ofertës turistike dhe aftësinë e sektorit për të përballuar kërkesën në rritje.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat