Secondary Adv

Buxheti mblodhi 340 miliardë lekë për 5 mujorin

Të ardhurat buxhetore tejkaluan planin në pesëmujorin e parë të vitit 2026, sipas Ministrisë së Financave.

Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit për periudhën janar-maj 2026 arritën në rreth 340.5 miliardë lekë, me një realizim prej 105.3 për qind të planit të periudhës. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat u rritën me 34.3 miliardë lekë ose 11.2 për qind. Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në rreth 286.8 miliardë lekë, me një realizim prej 96.8 për qind të planit dhe një rritje prej 19.7 miliardë lekësh ose 7.4 për qind krahasuar me pesëmujorin e vitit 2025.

 

Rritje e të ardhurave nga tatimet dhe fondet speciale

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat gjatë pesëmujorit arritën në 215.5 miliardë lekë, duke tejkaluar planin me 4.1 miliardë lekë ose 1.9 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën 12.1 miliardë lekë më shumë, ose 5.9 për qind. Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore arritën në 120.3 miliardë lekë, me një rritje prej 9.6 miliardë lekësh ose 8.6 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe 5.1 për qind mbi planin.

 

Të ardhurat nga TVSH neto në vend arritën në 35.8 miliardë lekë, me një rritje prej 17.6 për qind krahasuar me pesëmujorin e vitit 2025. Rimbursimet e TVSH-së për periudhën janar-maj 2026 ishin 6 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 26.6 miliardë lekë, ose 86 për qind e planit të periudhës, ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 40.2 miliardë lekë, me një rritje prej 18.1 për qind krahasuar me një vit më parë dhe 15.8 për qind mbi planin.

 

Të ardhurat nga taksat nacionale u realizuan në vlerën 17.6 miliardë lekë, ose 96.9 për qind e planit. Ndërkohë, të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 82.9 miliardë lekë, duke tejkaluar planin dhe duke shënuar një rritje prej 12.8 për qind krahasuar me pesëmujorin e vitit të kaluar.

 

Doganat mbledhin mbi 95 miliardë lekë

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore arritën në 95.2 miliardë lekë, me një rritje prej 2.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe me një realizim prej 98.2 për qind të planit. TVSH-ja në import gjeneroi 64.2 miliardë lekë, 3 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa të ardhurat nga akciza arritën në 26.3 miliardë lekë, me një rritje prej 2.2 për qind.

 

Të ardhurat nga renta minerare në eksport u realizuan në shumën 732 milionë lekë, ose rreth 78 për qind e planit, ndërsa të ardhurat nga taksat doganore arritën në 4 miliardë lekë, me një rritje prej 9.4 për qind krahasuar me pesëmujorin e vitit 2025.

 

Shpenzimet publike u rritën me 7.4 për qind

Shpenzimet e përgjithshme publike për pesëmujorin e parë të vitit 2026 arritën në 286.8 miliardë lekë, me një realizim prej 96.8 për qind të planit. Shpenzimet korente u realizuan në rreth 260.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7.2 për qind ose 17.4 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Realizimi i tyre ishte 96.2 për qind i planit.

 

Ndërkohë, shpenzimet kapitale arritën në 25.9 miliardë lekë, me një rritje prej 9.4 për qind ose rreth 2.2 miliardë lekë më shumë se në pesëmujorin e vitit 2025. Ky zë u realizua në masën 103 për qind të planit, duke reflektuar ritme më të larta të investimeve publike gjatë muajve të parë të vitit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat