Ibrahimaj: Ndërpritet Bordi i Transparencës për naftën, çmimet në rënie prej dy javësh
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi sot qeveria ka vendosur të ndërpresë funksionimin e Bordit të Transparencës për monitorimin e çmimeve të karburanteve.
Gjatë një deklarate për mediat ministrja Ibrahimaj tha se bordi e ka përmbushur misionin e tij në një periudhë të karakterizuar nga luhatje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
“Ne sot vendosëm që të ndërpresim Bordin e Transparencës për monitorimin e çmimeve të karburanteve, i cili prej disa muajsh ka qenë në funksion. Gjatë kësaj periudhe ka pasur luhatje të çmimeve, por prej dy javësh çmimi i karburanteve ka ardhur duke u reduktuar.
Gjithashtu, pritshmëritë janë që edhe Kanali i Hormuzit të zhbllokohet, çka do të ndikojë pozitivisht në stabilizimin e tregjeve dhe furnizimin me karburante”, u shpreh ministrja.
Vendimi për ngritjen e Bordit të Transparencës u mor më 23 Mars 2026
Në vendimin e parë, Bordi uli çmimin e naftës nga 214 lekë për litër në 203 lekë për litër.
Pas këtij vendimi, importuesit u ankuan që do të ndërpresin furnizimin me naftë. 2 ditë më vonë bordi e rriti çmimin e naftës në 218 lekë për litër.
Sipas importuesve, përllogaritja është bazuar në formulën e përdorur në vitin 2022, e cila nuk reflekton kushtet aktuale të tregut dhe, në veçanti, kontratat në fuqi që ne kemi me furnitorët tanë. Si rrjedhojë, çmimet e përcaktuara nuk pasqyrojnë kostot reale që aktualisht formojnë çmimin e një litri nafte dhe benzine për tregtimin me shumicë.
Shoqata e Hidrokarbureve në shumë raste ka argumentuar se arsyeja kryesore e çmimit të lartë lidhet me taksat që paguhen mbi naftën, që aktualisht janë mbi 100 lekë për litër, duke përbërë gjysmën e çmimit.
Ata propozuan ridimensionimin e taksës së qarkullimit, duke e kaluar nga nafte te makina. Kjo do të sillte rënie të çmimit me 9 lekë për litër. Kërkesa e tyre nuk u mor parasysh nga institucionet qeveritare.
Përveç ngritjes së Bordit të Transparencës, qeveria ka ndërhyrë vetëm përmes një akti normativ që parashikonte uljen e akcizës me 20% në rastet kur çmimi i naftës kalon 220 lek për litër dhe benzina 200 lek për litër.
Sipas ministrit të Financave Petrit Malaj masa për uljen e akcizës u zbatua vetëm 2 herë me një efekt financiar rreth 37 mln lekë apo rreth 390 mijë euro.