Linjë e re 35 kV Kavajë - Rrogozhinë, OSSH hap tenderin 300 mln lekë
Drejtoria e Tensionit të Lartë OSSH sh.a ka shpallur procedurën e prokurimit për ndërtimin e linjës së re 35 kV Kavajë–Rrogozhinë.
Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i këtij projekti është 299 milionë e 991 mijë lekë. Projekti parashikon ndërtimin e një linje të re 35 kV nga nënstacioni 110/35/20/6 kV i Kavajës deri në nënstacionin 35/10 kV të Rrogozhinës.
Linja e re do të ketë një gjatësi prej rreth 19 kilometrash dhe do të ndërtohet në një trase të re, me izolacion të përshtatshëm për kalimin në tension 110 kV në të ardhmen. Projekti do të realizohet me standardet bashkëkohore, thuhet në dokumentin e Agjencisë së Prokurimit Publik.
Sipas OSSH-së, qëllimi kryesor i këtij investimi është rritja e kapaciteteve shpërndarëse të energjisë elektrike në zonat bregdetare nga Spilleja deri në Divjakë, si dhe përmirësimi i sigurisë së furnizimit për nënstacionet Divjakë dhe Ballaj. Aktualisht, këto zona furnizohen nga një linjë e ndërtuar në vitin 1965 dhe konsiderohet e amortizuar për shkak të moshës së avancuar.
Më tej në dokument theksohet se, përmes këtij projekti synohet jo vetëm garantimi i një furnizimi më të qëndrueshëm me energji elektrike, por edhe krijimi i kushteve për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave bregdetare. Sipas relacionit teknik të projektit, nga ky investim do të përfitojnë drejtpërdrejt rreth 11.815 abonentë. Ndër përfitimet kryesore, renditen rritja e kapaciteteve transmetuese dhe shpërndarëse të rrjetit të tensionit të mesëm, reduktimi i humbjeve teknike, përmirësimi i cilësisë së furnizimit dhe krijimi i mundësive për integrimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, veçanërisht impianteve fotovoltaike.
Projekti parashikon gjithashtu uljen e ndërprerjeve të energjisë, përmirësimin e nivelit të tensionit dhe rritjen e treguesve të cilësisë së shërbimit, duke garantuar standarde më të larta për konsumatorët familjarë dhe bizneset e zonës.
OSSH vlerëson se ndërtimi i kësaj linje të re përbën një investim afatgjatë për sigurinë energjetike dhe një hap drejt modernizimit të rrjetit elektrik në zonat me zhvillim të shpejtë ekonomik dhe turistik.