Zvërneci, Ibrahimaj: Nuk ka projekt të miratuar, ai 4 mld euro u rrëzua nga KKTU
Gjatë një dalje publike pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj ripërsëriti se nuk ka një projekt konkret të miratuar për zonën e Zvërnecit.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, për shqetësimin e protestave të mbajtura, ku kërkohej anulimi i projektit, ministrja Ibrahimaj sqaroi se çdo propozim që do të vijë do të shqyrtohet për plotësimin e standardeve të BE-së për efektet mjedisore.
“Prej fillimit të protestave kemi bërë të qartë dhe transparente që nuk kemi ende një projekt për zhvillimin e zonës së Zvërnecit.
Janë duke punuar arkitektë të njohur, studiues dhe inxhinierë që merren me studimin e ndikimit në mjedis. Ashtu siç kemi sqaruar disa herë publikun, jemi në fazë të studimit dhe projektimit. Qeveria shqiptare nuk ka një projekt final që mund të ndajë me publikun.
Në momentin që do të vijë një propozim, shqetësimi ynë kryesor është plotësimi dhe respektimi i standardeve të ndikimit në mjedis.
Është në qëllimet tona që projekti të miratohet, projekti të vazhdojë sipas standardeve të BE-së. Ne kemi një proces të nisur me BE-në, një kalendar detyrash shumë të mirëpërcaktuar, dhe specifikisht legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit. Në momentin që do të na vijë një projekt, do të analizohet dhe do të bëhet transparent. Ne duam që një projekt i kësaj përmase financiare të vijë në Shqipëri, jo vetëm për ndikimin në ekonomi, por edhe për imazhin në turizëm. Ne jemi mbështetës të vijimit të projektit”.
E pyetur për llogaritjen e efekteve në ekonomi nga qeveria të një projekt të raportuar me vlerë 4 mld euro, Delina Ibrahimaj sqaroi projekti është rrëzuar nga KKTU për mospërmbushje të standardeve.
“4 mld euro ka qenë një projekt që është dorëzuar më parë, dhe nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, sepse nuk plotësonte standardet për çështjet e intensitetit të ndërtimit, të ndikimit të mjedisit. Vendimit e KKT-së janë bërë tarsparente bashkë me arsyet e rrëzimit.
Nuk e dimë se sa do të jenë vlera e projektit që do të vijë për miratim”, pohoi ajo.
Po ashtu pak ditë më parë nëpërmjet një amendamenti të miratuar, Parlamenti Europian kërkoi ndalimin e projekteve të reja në të gjitha zonat e mbrojtura, përfshirë edhe për Vjosë-Nartë.