Familjet në ndihmë ekonomike përfitojnë ujë falas deri në 5 m3 në muaj
Qeveria ka miratuar metodologjinë e re për subvencionimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve për vitin 2026.
Skema synon të mbështesë familjet në nevojë përmes kompensimit të konsumit minimal jetik të ujit, ndërsa fondet për shoqëritë e sektorit do të lidhen me performancën dhe eficiencën e tyre.
Sipas udhëzimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përfitojnë mbulim 100% të faturës për konsumin deri në 5 metra kub ujë të pijshëm në muaj për kontratë. Përveç ujit të konsumuar, subvencioni do të mbulojë edhe tarifën fikse, tarifën e kanalizimeve dhe atë të trajtimit të ujërave të ndotura urbane.
Masa synon të garantojë nivelin minimal jetik të furnizimit me ujë për shtresat më vulnerabël të popullsisë. Zbritja do të aplikohet automatikisht në faturat mujore të ujit, pa qenë e nevojshme që qytetarët të paraqesin kërkesa shtesë pranë kompanive të ujësjellësit.
Metodologjia përcakton se përfitimi jepet vetëm një herë për çdo familje, pavarësisht nëse brenda saj ka më shumë se një person që i përket kategorive përfituese ose individë që mund të përfshihen në disa kategori sociale njëkohësisht.
Një nga elementët më të rëndësishëm të skemës së re është lidhja e subvencioneve me kontratat e performancës. Vetëm shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve që kanë nënshkruar kontratën e performancës me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK) do të mund të rimbursohen nga buxheti i shtetit për zbritjet e aplikuara ndaj familjeve në nevojë.
Megjithatë, edhe shoqëritë që nuk e kanë nënshkruar ende këtë kontratë janë të detyruara të zbatojnë zbritjen 100% për familjet përfituese. Në këtë rast, kostoja do të mbulohet nga vetë fondet e kompanisë, derisa të përmbushen kushtet për të marrë subvencionin shtetëror.
Përveç mbështetjes sociale, fondet e mbetura të subvencionit mund të përdoren për të ndihmuar kompanitë e ujësjellësit në përballimin e kostove të energjisë elektrike. Kjo mundësi u jepet vetëm atyre operatorëve që prodhojnë më shumë se 75% të volumit të ujit përmes ngritjes mekanike, një proces që shoqërohet me konsum të lartë energjie.
Skema do të financohet nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për vitin 2026, si dhe nga çdo shtesë e mundshme e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. AKUK do të jetë institucioni përgjegjës për llogaritjen, shpërndarjen dhe kontrollin e përdorimit të fondeve, ndërsa ka të drejtën të kryejë verifikime dhe auditime për mënyrën se si kompanitë e sektorit përdorin subvencionet e përfituara.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë detyrimin t’u përcjellin çdo muaj shoqërive të ujësjellësit listat e përditësuara të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, duke mundësuar aplikimin automatik të lehtësive në faturim.