Secondary Adv

KESH eksportoi 33 milionë euro energji në katër muaj e parë të vitit

KESH arkëtoi 33.1 milionë euro nga shitja e energjisë elektrike në katër muajt e parë të vitit 2026, e nxitur nga kushtet e favorshme hidrike që rritën prodhimin vendas.


Sipas të dhënave të kompanisë publike, gjatë periudhës janar-prill u shitën 456,945 MWh energji, me një vlerë totale prej 27.65 milionë euro pa TVSH dhe 33.15 milionë euro me TVSH.


Shkurti ishte muaji me volumin më të lartë të eksporteve, me 223,894 MWh energji të shitur. Të ardhurat nga ky muaj arritën në 13.52 milionë euro me TVSH. Në janar, KESH shiti 140,587 MWh energji, duke siguruar 12.16 milionë euro me TVSH. Marsi solli 3.74 milionë euro të ardhura, ndërsa prilli 3.73 milionë euro. Çmimi mesatar i shitjes për periudhën ishte 60.51 euro/MWh, me nivelin më të lartë në prill, prej 77.43 euro/MWh, dhe më të ulëtin në mars, prej 59.74 euro/MWh.


Rritja e shitjeve në tregun e energjisë erdhi në një periudhë kur prodhimi hidroenergjetik përfitoi nga prurjet ujore në kaskadën e Drinit dhe nga një situatë më e favorshme hidrike në vend që për sektorë të tjerë në fakt si bujqësia u përkthye në dëme dhe përmbytje.


Në të njëjtën periudhë sipas të dhënave zyrtare, blerjet e energjisë ishin të kufizuara. KESH bleu vetëm në janar 28,800 MWh, me një kosto prej 3.52 milionë euro pa TVSH ose 4.22 milionë euro me TVSH. Për muajt shkurt, mars dhe prill nuk rezultojnë blerje të përfunduara për shërbim publik, pasi procedurat e tregtimit nuk ishin mbyllur në momentin e raportimit.


Të dhënat mbi ecurinë e prodhimit dhe shitblerjes së energjisë nga KESH vijnë teksa prodhimi vendas i energjisë po mbështetet gjithnjë e më shumë edhe te operatorët privatë dhe koncesionarë, ndonëse sistemi mbetet i varur kryesisht nga hidrocentralet.


Konkretisht bilanci energjetik tregon se prodhimi neto vendas arriti në 4,404,981 MWh në periudhën janar-prill. Nga kjo sasi, KESH prodhoi 2,025,837 MWh, ose rreth 46% të totalit, ndërsa prodhuesit privatë dhe koncesionarë, përfshirë centralet fotovoltaike, prodhuan 2,379,144 MWh, ose afërsisht 54%.


Për KESH, ndryshe nga viti i shkuar ky fillimvitit rezultoi me një bilanc më pozitiv, ku prodhimi më i lartë vendas uli nevojën për blerje dhe rriti të ardhurat nga tregtimi i energjisë.


Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat