Rrugë e re Roskovec-Lushnje, ARRSH hap tenderin për projektimin, aks i ri rreth 22 km
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e një aksi të ri rrugor që do të lidhë qytetet e Roskovecit dhe Lushnjes.
Procedura me fond limit prej rreth 24 mln lekë synon hartimin e projektit të detajuar për një nga lidhjet e reja rrugore në ultësirën perëndimore të vendit.
Sipas dokumenteve të tenderit, rruga e re do të jetë një aks krejtësisht i ri, me gjatësi të përafërt rreth 22 kilometra. Traseja do të nisë pranë qytetit të Roskovecit, në aksin Poshnjë–Roskovec–Fier, dhe do të përfundojë pranë Lushnjës, në aksin Berat–Lushnjë. Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një ure të re mbi lumin Seman, i cili ndan territorin e dy bashkive.
Sipas termave të referencës, rruga do të klasifikohet si kategori C3, ose rrugë ndërurbane dytësore, dhe do të projektohet me qëllim lehtësimin e lëvizjes së trafikut, rritjen e sigurisë rrugore dhe krijimin e një lidhjeje më të shpejtë mes dy zonave.
Dokumentet kërkojnë që konsulenti të analizojë të paktën dy variante të mundshme të trasesë, ndërsa projekti do të duhet të përfshijë edhe nyjet lidhëse, sinjalistikën rrugore, ndriçimin, gjelbërimin dhe rrugë dytësore që do të sigurojnë akses për komunitetet lokale.
Sipas ARRSH-së, një nga objektivat kryesore të investimit është anashkalimi i qendrave të banuara të Roskovecit dhe Lushnjës, duke ulur trafikun në zonat urbane dhe duke përmirësuar sigurinë për automjetet dhe këmbësorët.