Secondary Adv

Interesat e ulëta, efektet e SEPA dhe shpenzimet në rritje po tkurrin fitimet e sektorit bankar

Fitimi i sektorit bankar vijon të bjerë edhe në vitin 2026. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për katër muajt e parë të vitit fitimi neto zbriti në 9.5 miliardë lekë, 15% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Kthimi nga kapitali aksionar ka pësuar gjithashtu rënie në nivelin 12.17%, nga 15.28% që kishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa kthimi nga aktivet zbriti në 1.25%, nga 1.58% që kishte qenë një vit më parë.


Rënia e normave të interesit bëri që fitimet e sektorit bankar të pësonin një korrigjim në rënie qysh vitin e kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2025 fitimi neto i sektorit zbriti në vlerën e 35.6 miliardë lekëve, në rënie me 5% krahasuar me një vit më parë.


Këto tendenca duket se kanë vazhduar të shfaqen edhe gjatë muajve të parë të këtij viti. Rezultati neto nga interesat i sektorit është shfaqur pothuajse në stanjacion, për shkak se rritja e të ardhurave nga interesat nuk po e tejkalon më rritjen e shpenzimeve për interesa.


Por, ndërkohë, një faktor tjetër që e ka ndikuar përfitueshmërinë e sektorit është edhe ngadalësimi i rritjes së të ardhurave nga komisionet.


Në këtë pikë, vlerësohet se një ndikim të ndjeshëm kanë dhënë ndryshimet rregullatorë të miratuara nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, që i kufizuan më tej të ardhurat nga transfertat kombëtare, por sidomos anëtarësimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Prej tetorit të kaluar, bankat shqiptare nisën operacionet në sistemet e SEPA. Kjo ka sjellë një ulje drastike të komisioneve për transfertat ndërkombëtare. Ulja ka filluar të japë efekte edhe në bazën e të ardhurave të bankave tregtare.


Nga ana tjetër, presionet mbi kostot e bankave ngelen të larta. Shpenzimet për personelin janë në rritje vit pas viti, duke reflektuar rritjen e numrit të punonjësve, por edhe tendencën e vazhdueshme në rritje të pagave.


Edhe shpenzimet e tjera operacionale kanë vazhduar të rriten, të përcaktuara sidomos nga nevojat në rritje për investime në teknologjinë e inovacionit dhe komunikimit, duke përfshirë sigurinë kibernetike. Ndërkohë, projektet madhore në sektorin e pagesave, siç ishte SEPA apo adoptimi i afërt i pagesave të çastit (instant payments), gjithashtu kanë sjellë nevojën për investime të reja në sistemet e bankave.


Në muajt e parë të këtij viti po shënohet edhe një rritje në vlerën e fondit rezervë për humbjet nga kreditë e këqija. Megjithëse raporti i kreidve me probleme vazhdon të jetë në rënie të ngadaltë me bazë vjetore, provigjionet janë rritur, duke sinjalizuar kryesisht një rritje të peshës së nëngrupeve të kredive të dyshimta dhe të humbura, që kërkojnë vlera më të larta mbulimi me fonde rezervë.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat