Gati tenderi për hyrjen veriore të Tiranës, 138.6 mln lekë për lidhjen e autostradave me Unazën e Re
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përgatitur tenderin për studimin dhe projektimin e hyrjes veriore të Tiranës, që synon lidhjen e drejtpërdrejtë të autostradave të veriut me Unazën e Re, duke shmangur Kamzën.
Tenderi do të ketë një fond limit prej 138.6 mln lekë, ndërsa projekti ishte paralajmëruar para disa javësh edhe nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli gjatë emisionit Inside News, në TV SCAN. Kozeli bëri me dije se projektimi i hyrjes veriore të Tiranës është pjesë e masave për lehtësimin e trafikut në kryeqytet.
Sipas tij, kjo hyrje e re në kryeqytet që do të sjellë shkarkimin e trafikut drejt veriut, duke e konsideruar një zgjidhje shtesë për trafikun e qytetit.
Aktualisht, një pjesë e konsiderueshme e trafikut që vjen nga veriu kalon përmes nyjes së Kamzës për t’u lidhur me rrugët kryesore të kryeqytetit. Ndërtimi i një korridori të ri pritet të krijojë një alternativë për automjetet tranzit dhe të reduktojë ngarkesën në hyrjen ekzistuese të Tiranës.
Projekti vjen në një kohë kur po avancojnë edhe investime të tjera të rëndësishme infrastrukturore në zonën e Tiranës dhe korridorin veri-jug, përfshirë segmentet e autostradës Adriatiko-Joniane dhe projektin e bypass-it të Tiranës, i cili synon të devijojë trafikun tranzit jashtë zonave urbane.