Kryeministri paralajmëron ndryshime të mëdha në ujësjellës, transport dhe hapësira urbane
Në eventin për infrastrukturën nëntokësore në zonat urbane, kryeministri Edi Rama theksoi se qytetet duhen pastruar nga ato “fije plastike merimangash të një kohe tjetër”, referuar rrëmujës së kabllove.
“Pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion, por qëndrojnë aty si një shenjë e harresës dhe mungesës së vëmendjes”, theksoi kreu i qeverisë.
Njoftoi se në 10-ditëshin e parë të korrikut se do lançohet programi i ri kombëtar i Rilindjes 2.0, nën mbikqyrjen e ministrit të Pushtetit Vendor, Ervin Demo.
“Ka ardhur koha të marrë një drejtim shterrues, të adresojë të gjitha pjesët e mbetura të painvestuara, ndryshe nga ç’hidhet dhe spërdridhet në diskursin e përditshëm negativ, janë në fakt shumë më pak se sa pjesë të investuara të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve. Do duhet një ndërhyrje gjithëpërfshirëse dhe për t’i dhënë përgjigje edhe atyre nevojave të mbetura të paadresuara të segmentit akoma të munguar të rrjetit të përgjithshëm.
Së dyti do shkojë në nivel tjetër transporti urban dhe ndërurban. Të hyjmë në një fazë ku gjenerata e re e autobusëve të jetë krejtësisht e gjelbër, pra autobusë elektrikë me zero ndotje. Po ashtu, për të ndërtuar një sistem të përdorimit të këtyre mjeteve, nën administrimin e bashkive. Qeveria siguron mjetet, bashkia i administron, nëpërmjet një projekti që e kemi pilotuar me sukses në Dibër. Do të kemi një park logjistik që do u shërbejë bashkive për ato punime të domosdoshme, pastrimit, hapjes së kanaleve ujitëse e kulluese apo çdo ndërhyrje tjetër të kësaj natyre.
Do të mbështesim një program për të krijuar kapacitete më domethënëse për parkimet, sidomos me qytetet me intensitet të lartë qarkullimi”, paralajmëroi Rama.
U ndal te zonat industriale, muzetë dhe te programi për shtrirjen e start up-eve në territor. Vuri theksin edhe te kompanitë e përbashkëta mes njësive të nivelit vendor dhe sipërmarrësve, paralalisht me programin “Dyfisho ndërmarrjen tënde”.