Secondary Adv

Taksa e re e ndërtesës dyfishon detyrimin për apartamentet, llogaritjet për 32 zonat në Tiranë

Rritja e taksës së ndërtesës pritet të sjellë ndryshime të ndjeshme në barrën fiskale për pronarët e apartamenteve, veçanërisht në zonat me çmime të larta reference në Tiranë.


Bazuar në çmimet zyrtare të referencës dhe formulën e re të propozuar, “Monitor” ka përllogaritur detyrimin e ri vjetor që do të ketë aplikimi i dy niveleve të propozuara të taksës 0.1% dhe 0.2% për ndërtesat e banimit.


Sipas llogaritjeve duke llogaritur vlerën e një apartamenti me sipërfaqe 90 m2 , përfshirë edhe zbritjet të propozuara në formulën e re, nëse taksa e ndërtesës do të miratohet në nivelin prej 0.2% të propozuar nga Ministria e Financave, detyrimi vjetor do të dyfishohet.


Nëse shkalla e taksës do të miratohet 0.1% detyrimi do të rritet vetëm për disa zona kadastrale, si zona e ish Bllokut, zona pranë Piramidës dhe pranë rrugës Myslym Shyri.


Në këto zona detyrimi do të rritet nga 3 deri 18%. Për zonat e tjera kadastrale në Tiranë detyrimi nuk ndryshon (nëse vlera e apartamentit do të llogaritet me çmimet e referencës dhe shkalla e taksës do të miratohet 0.1%).


P.sh nëse një individ posedon një apartament me sipërfaqe 90 m2 në zonën e ish Bllokut, me nivelin aktual të taksës prej 0.05% paguan një detyrim vjetor prej 10,278 lekë në vit apo 856 lekë në muaj.


Çmimi i referencës së zonës kadastrale 5/1 (zona e Ish Bllokut) 228,400×90 m2= 20,556,000 lekë (vlera e shtëpisë) x 0,05% (shkalla aktuale e taksës)= 10,278 lekë (detyrimi vjetor që paguhet aktualisht).


Me shkallën e re të propozuar 0.1%, përfshirë edhe zbritjen e pragut të patatueshëm prej 8.4 mln lekë detyrimi arrin 12,156 lekë në vit apo 1,013 lekë në muaj. Rritja 18.2%.


Çmimi i referencës së zonës kadastrale 5/1 (zona e Ish Bllokut) 228,400×90 m2= 20,556,000 lekë (vlera e shtëpisë). Në këtë rast nuk do të aplikohet zbritja 50% e vlerës, pasi vlera e pronës është mbi dyfishin e pragut të patatueshmë në Tiranë (8,400,000×2 =16,800,000).


Në këtë rast vlerës së shtëpisë i aplikohet vetëm zbritja e pragut të patatueshëm.


20,556,000- 8,400,000 = 12,156,000 lekë vlera e shtëpisë pas zbritjes x 0.1% shkalla e re e taksës = 12,156 lekë në vit do të llogaritet detyrimi i ri. Rritja 18.2%.


Në rast se shkalla e taksës do të miratohet 0.2% detyrimi do të dyfishohet, për të gjitha zonat kadastarle në Tiranë.


Pra pavarësisht se formula parashikon zbritje deri 50% të vlerës së pronës, shkalla e re taksës prej 0.2% rritet me 300% krahasuar me nivelin aktual prej 0,05%. Rritja e shkallës do të sjellë dyfishim të detyrimit vjetor.


P.sh. për një familje pronare e një apartamenti në zonën e ish bllokut detyrimi nga 10,278 lekë që është aktualisht do të arrijë në 20,556 lekë në vit.


Dyfishim të detyrimit me shkallën 0.2% do të ketë për të gjitha zonat kadastrale.


P.sh në zonën kadastrale 1/1 (në terren përfshihet zonat, si: Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, LanaBregas, Linzë, Sauk) detyrimi vjetor aktualisht është 4,626 lekë në vit.


Me shkallën e propozuar prej 0.2% detyrimi arrin 9,252 lekë në vit. Dyfish nga sa paguhet aktualisht.


Si llogaritet aktualisht taksa për apartamentet


Prej muajit gusht 2023 e në vazhdim detyrimet e familjeve në Tiranë për taksën e ndërtesës janë shtrenjtuar deri 76% krahasuar me me periudhën e mëparshme. Rritja e detyrimeve erdhi pas hyrjes në fuqi në fund të muajit Korrik 2023 të vendimit të Ministrisë së Financave për shtrenjtimin e çmimeve të referencës së apartamenteve.


Formula në fuqi e miratuar që në vitin 2018, llogaritjen e taksës e mbështet mbi vlerën e shtëpisë. Vlera e shtëpisë llogaritet sipas çmimeve të referencës.


Për rrjedhojë, rritja e çmimeve fiskale solli automatikisht rritje të pagesës vjetore të taksës së apartamenteve në të njëjtën vlerë, pasi taksa e ndërtesës llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit. Për të dyja kategoritë pushteti vendor e llogarit vlerën e ndërtesës (si për banim dhe për aktivitet tregtar) sipas çmimeve të referencës.


Për shtëpitë e banimit niveli i taksës është 0,05% e vlerës, ndërsa për njësitë tregtare 0,2%.


Taksa e ndërtesës nga familjarët paguhet nëpërmjet faturave të ujit të pijshëm.


Për një familje në zonën e Freskut, detyrimi mujor për taksën e ndërtesës prej muajin gusht 2023 është rritur 198 lekë më shumë në muaj apo 41% (sipas krahasimit të faturës së ujit të paguar për muajin korrik dhe gusht 2023). Detyrimi vjetor për këtë familje prej 2023 për taksën e ndërtesës është 2,376 lekë nga 1,680 lekë që paguante më parë (rritja 41%).


Nëse shkalla e taksës do të miratohet 0.2% detyrimi për këtë familje do të dyfishohet. Do të arrijë 4,681 lekë.


Si do të jetë formula e re e llogaritjes së taksës


Projektligjin e ri për taksimin e pasurive të paluajtshme rrit si shkallët e taksimit edhe formulën e llogaritjes.


Për ndërtesat për banim janë propozuar intervale nga 0.1% deri në 0.2%, nga 0.05% që është aktualisht. Shkalla e taksës mes intervaleve të propozuara do të miratohet nga Këshilli Bashkiak.


Paralelisht me ndryshimin e shkallës së mtaksës propozohet një metodologji e re për llogaritjen e detyrimit, ku për banesën e parë, do të zbritet 50% e vlerës së shtëpisë si e patatueshme. Zbritja do të përfitohet nëse vlera, nuk tejkalon dyfishin e pragut të patatueshëm ku për Bashkinë e Tiranës është propozuar në vlerën e 8,4 mln lekëve.


Për taksimin e banesës së parë, formula e re përcakton zbritje 50% të vlerës së shtëpisë si të patatueshme. Por për zbritjen e 50% të vlerës si të patatueshme, te banesa e parë, për rrjedhojë që të paguhet gjysma e taksës, përcakton se do të përfitohet nëse vlera e shtëpisë (mbi të cilën do të llogaritet taksa) nuk kalon dyfishin e vlerës së pragut maksimal si të patatueshëm. Në të kundërt nëse vlera e shtëpisë tejkalon dyfishin e vlerës së pragut të patatueshëm (kjo vlerë është e ndarë në 7 kategori sipas bashkive), zbritje të patatueshme përfiton vetëm pragun e përcaktuar në draft.


Pra e thënë më thjeshtë nëse vlera e shtëpisë do të jetë më e ulët sesa dyfishi i pragut të zbritjes, taksa do të llogaritet për 50% të vlerës. Nëse vlera e shtëpisë është mbi dyfishin e pragut të zbritjes, si vlerë të patatueshme qytetari do të përfitojë vetëm pragun e zbritjes. Pra në këtë rast nuk përfiton 50% të vlerës së shtëpisë, si të patatueshme.


Në kategorinë e parë është vendosur bashkia e Tiranës me një prag të patatueshëm maksimal deri në 8.4 mln lekë./ D.Azo


Zonat kadastrale


ZONA 1


1/1 Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, LanaBregas, Linzë, Sauk


ZONA 2


2/1 Piramida, stadiumi “Qemal Stafa”; 2/2 Pazari i Ri, 9-katëshet, shkolla “Avni Rustemi”; 2/3 Ministria e Jashtme, Ambulanca nr.1, Bërryli; 2/4 Shkolla e Baletit, Ambasada Amerikane; 2/5 Qyteti “Studenti”, Fakulteti Ekonomik, Varrezat e Dëshmorëve, Sauk, Selitë


ZONA 3


3/1 Xhamllëku, Profarma, rruga “Bardhyl”, rruga “Kongresi i Manastirit”, Bulevardi “Zhan D’Ark”; 3/2) Porcelani, IK V, Kinostudio, rruga “Hoxha Tahsim”, Lana e vjetër, fshati Linzë


ZONA 4


4/1 Kompleksi i spitaleve, SHIK, Oxhaku, Allias i ri, fshati Tufinë; 4/2 Allias, rruga “Njazi Meka”, Bregu i Lumit, Alliasi i Ri, rruga “Myslym Keta” “5 Maji”


ZONA 5


5/1 Ish–Blloku, Libri Universitar, Vodafone; 5/2 Stadiumi “Selman Stermasi”, Shushica, Liqeni Artificial; 5/3 Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit” Liqeni artificial; 5/4 Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël


ZONA 6 Shkolla Teknologjike, Kombinati, Vaqar, Selitë, Yzberisht, Sharrë


ZONA 7


7/1 Rr. Gjykata e rrethit, Ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”; 7/2 Blloku i Ambasadave, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit; 7/3 NSHRAK, parku i Ministrisë së Brendshme, Fabrika e bukës; 7/4 Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht


ZONA 8


8/1 Selvia, gjimnazi “Partizani” rruga “Tafajt”; 8/2 Medreseja, farmacia nr.10, Tregu Industrial; 8/3 Tregu Industrial, fabrika “Ajka”, uzina “Dinamo”, Bregu i Lumit


ZONA 9


9/1 Bar Piazza, Blloku përgjatë “Zogu I”, Rruga e Barrikadave, rruga “Fortuzi”, “Sulejman Pasha” deri te “Mine Peza”; 9/2 Stacioni i trenit, Arkiva e Përgjithshme, Hipoteka, Politeknikumi; 9/3 “Don Bosko”, Fabrika e Këpucëve, Bregu i Lumit, Politeknikumi, rruga “Siri Kodra”


ZONA 10


10/1 PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve; 10/2 Rruga “Myslym Shyri”, Drejtoria e Policisë, Kisha katolike; 10/3 Blloku i Ambasadave, Prokuroria, Rruga e Durrësit


ZONA 11


11/1 Zogu i Zi, ish-Shkolla e Partisë; 11/2 Ferluti, ish-Uzina Tirana, FIAT, Zbritja drejt Laprakës; 11/3 Laprakë, Drejtoria e Doganave, Spitali Ushtarak, Bregu i lumit, Fushë Mëzes, Don Bosko.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat