Rritet punësimi i të moshuarve në 2025, mbi 130 mijë persona mbi 65 vjeç aktivë në tregun e punës
Mbi 130 mijë persona mbi 65 vjeç rezultuan të punësuar gjatë vitit 2025, pavarësisht rënies së punësimit total.
Numri i personave mbi 65 vjeç që vazhdojnë të jenë aktivë në tregun e punës është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025. Sipas publikimit “Tregu i Punës 2025” të INSTAT, të punësuarit në këtë grupmoshë arritën në 130.274 persona, nga 119.862 që ishin në vitin 2024. Brenda një viti janë shtuar 10.412 të moshuar të punësuar, ose 8.7 për qind më shumë.
Ky zhvillim bie në kontrast me ecurinë e përgjithshme të tregut të punës. Numri total i të punësuarve 15 vjeç e lart zbriti nga 1.177.245 persona në vitin 2024 në 1.172.359 persona në vitin 2025, duke shënuar një rënie prej 4.886 të punësuarish. Kjo do të thotë se, ndërsa punësimi në nivel kombëtar është tkurrur lehtë, numri i të moshuarve që vazhdojnë të punojnë është rritur.
Shumica janë të vetëpunësuar në bujqësi
Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e të punësuarve mbi 65 vjeç janë të vetëpunësuar në bujqësi dhe nuk janë kontribues në skemën e sigurimeve. Ata konsiderohen të punësuar sipas përkufizimit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës edhe kur punojnë në fermën e tyre dhe prodhojnë vetëm për vetëkonsum.
Në vitin 2025, personat mbi 65 vjeç përbënin rreth 11.1 për qind të të gjithë të punësuarve në Shqipëri, nga 10.2 për qind që përfaqësonin një vit më parë. Kjo tregon se pesha e punësimit në moshë pensioni po rritet gradualisht në strukturën e tregut të punës.
Burrat dominojnë punësimin mbi moshën 65 vjeç
Nga 130.274 të punësuar mbi 65 vjeç, 78.944 janë burra dhe 51.330 janë gra. Burrat përbëjnë 60.6 për qind të kësaj kategorie, ndërsa gratë 39.4 për qind.
Krahasuar me vitin 2024, numri i burrave të punësuar u rrit nga 72.827 në 78.944, ose me 6.117 persona. Ndërkohë, numri i grave u rrit nga 47.035 në 51.330. Megjithëse rritja numerike ishte më e madhe te burrat, në terma përqindjeje gratë shënuan një rritje pak më të lartë, me rreth 9.1 për qind, kundrejt 8.4 për qind te burrat.
Më shumë se gjysma kanë arsim 8/9-vjeçar
Të dhënat tregojnë se shumica e të punësuarve mbi 65 vjeç kanë arsim 8/9-vjeçar. Në vitin 2025, në këtë kategori ishin 83.998 persona, ose rreth 64.5 për qind e totalit.
Me arsim të mesëm rezultojnë 39.087 persona, ose rreth 30 për qind e të punësuarve mbi 65 vjeç, ndërsa vetëm 7.189 persona, ose 5.5 për qind, kanë arsim të lartë. Rritja më e madhe gjatë vitit është regjistruar te të moshuarit me arsim të mesëm, të cilët u shtuan nga 31.842 në vitin 2024 në 39.087 në vitin 2025.
Kukësi kryeson për peshën e bujqësisë në punësim
Në vitin 2025, qarku me peshën më të lartë të punësimit në bujqësi ishte Kukësi, ku 67.9 për qind e të punësuarve janë të angazhuar në këtë sektor. Pas tij renditen Berati me 60.1 për qind, Dibra me 59.8 për qind, Fieri me 58.1 për qind, Korça me 57.5 për qind dhe Elbasani me 45.2 për qind.
Në numër absolut, Fieri kryeson me 74.769 të punësuar në bujqësi, i ndjekur nga Korça me 49.269, Berati me 47.647, Elbasani me 46.432 dhe Dibra me 30.416 persona.
Në anën tjetër, pesha më e ulët e punësimit në bujqësi është në Tiranë, ku vetëm 7.3 për qind e të punësuarve janë në këtë sektor. Në Durrës kjo peshë është 24.9 për qind, ndërsa në Vlorë 28.9 për qind, duke reflektuar një strukturë ekonomike më të orientuar drejt shërbimeve dhe industrisë.