Secondary Adv

Ekonomia u rrit me 3.71 për qind në tremujorin e parë, udhëhequr nga pasuritë e paluajtshme

Ekonomia shqiptare vijoi rritjen në tremujorin e parë të vitit 2026, e mbështetur kryesisht nga administrata publike dhe shërbimet.


Ekonomia shqiptare regjistroi një rritje prej 3.71 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), në terma realë, u zgjerua me një ritëm më të lartë se ai i së njëjtës periudhë të vitit 2025, ndërsa publikimi u shoqërua edhe me rishikimin e të dhënave historike. Pas përditësimit të llogarive kombëtare vjetore, norma e rritjes ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2025 u korrigjua në 3.53 për qind, nga 3.83 për qind që ishte raportuar më parë.


Të dhënat tregojnë se zgjerimi ekonomik gjatë muajve janar-mars u mbështet kryesisht nga sektori publik dhe aktivitetet e shërbimeve, ndërsa industria dhe bujqësia vazhduan të shfaqin dobësi.


Administrata publike dhe pasuritë e paluajtshme dhanë kontributin më të madh


Kontributin kryesor në rritjen e PBB-së e dha grupi “Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia”, me 1.68 pikë përqindje. Pas tij renditen aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.52 pikë përqindje, aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative me 0.47 pikë përqindje, ndërtimi me 0.32 pikë përqindje, si dhe tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 0.21 pikë përqindje.


Kontribut pozitiv dhanë gjithashtu aktivitetet financiare dhe të sigurimit, sektori i informacionit dhe komunikacionit, si edhe taksat neto mbi produktet, të cilat shtuan 0.74 pikë përqindje në rritjen ekonomike.


Në kahun tjetër, industria, energjia dhe furnizimi me ujë kontribuuan negativisht me -0.25 pikë përqindje. Edhe bujqësia, si dhe aktivitetet e argëtimit dhe shërbimeve të tjera, frenohen zgjerimin ekonomik gjatë kësaj periudhe.


Administrata publike shënoi rritjen më të lartë


Për sa i përket performancës sipas sektorëve, ritmin më të lartë të rritjes e regjistroi grupi “Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia”, me 13.93 për qind. Pas tij renditen aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 8.99 për qind, aktivitetet profesionale dhe administrative me 7.32 për qind, sektori financiar me 5 për qind dhe ndërtimi me 3.33 për qind.


Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor u rritën me 1.61 për qind. Në të kundërt, industria u tkurr me 2.17 për qind, bujqësia me 0.49 për qind dhe aktivitetet e argëtimit e shërbimeve të tjera me 3.48 për qind.


Konsumi dhe investimet mbështetën ekonominë


Nga pikëpamja e kërkesës agregate, rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga konsumi i familjeve dhe investimet. Konsumi final i popullatës u rrit me 3.94 për qind, ndërsa formimi bruto i kapitalit fiks, një tregues i investimeve, u zgjerua po me 3.94 për qind.


Në të kundërt, konsumi final i administratës publike shënoi një rënie prej 1.36 për qind.


Edhe sektori i jashtëm dha një kontribut pozitiv në aktivitetin ekonomik. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9.36 për qind, duke tejkaluar ritmin e rritjes së importeve, të cilat u zgjeruan me 7.39 për qind.


Rritje edhe krahasuar me fundin e vitit 2025


Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, ekonomia shqiptare vijoi të zgjerohej edhe në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2025. Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 0.77 për qind, ndërsa zgjerimi u mbështet kryesisht nga aktivitetet profesionale dhe administrative, administrata publike, pasuritë e paluajtshme, informacioni dhe komunikacioni, si edhe industria dhe energjia.


Burimi: Ekofin


Më të lexuarat