Rikthimi i stacionit të trenit në Tiranë avancon, tenderi 1.5 mld lekë mbyllet pa ankesa
Tenderi për segmentin hekurudhor drejt Stacionit Qendror të Tiranës kalon në fazën e shqyrtimit të ofertave.
Procesi për rikthimin e stacionit të trenit në Tiranë ka hedhur një tjetër hap përpara, pasi tenderi për ndërtimin e segmentit të ri hekurudhor është mbyllur pa ankesa në fazën e dorëzimit të ofertave. Procedura e prokurimit, me një fond limit prej 1.5 miliardë lekësh pa TVSH, u hap në fillim të muajit maj dhe tashmë kalon në fazën e vlerësimit të ofertave të paraqitura nga kompanitë pjesëmarrëse.
Segmenti i ri do të lidhë terminalin me Stacionin Qendror
Projekti parashikon ndërtimin e një segmenti hekurudhor me gjatësi rreth 4.2 kilometra, pjesë e linjës Tiranë–Durrës–Rinas. Ky segment do të lidhë Terminalin e Transportit Publik, pranë kthesës së Kamzës, me Stacionin Qendror të Tiranës, duke rikthyer shërbimin hekurudhor në kryeqytet.
Linja është projektuar me një shinë dhe do të shërbejë kryesisht për transportin urban dhe interurban. Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e dy ndalesave ndërmjetëse, ndërsa trenat ndërqytetës do ta përfundojnë udhëtimin në terminal dhe nuk do të hyjnë në qendrën e Tiranës.
Parashikohen mbikalime dhe integrim me Bulevardin e Ri
Investimi përfshin një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore, mes të cilave ndërtimin e një mbikalimi mbi Unazën e Madhe, si dhe nënkalime e mbikalime për këmbësorët. Traseja e re do të ndjekë pjesërisht linjën ekzistuese hekurudhore dhe më pas do të integrohet me Bulevardin e Ri të Tiranës, në përputhje me zhvillimin urban të kësaj zone.
Operimi i trenave synohet në fund të vitit 2027
Sipas planifikimit të autoriteteve, ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas pritet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm. Më pas do të vijojnë punimet për elektrifikimin e linjës dhe mbërritjen e trenave, me objektivin që operimi i plotë i shërbimit të nisë në fund të vitit 2027.