Secondary Adv

Ujësjellësit rritën borxhet ndaj OSHEE, arritën në 352 mln euro në 2025

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve vijojnë të jenë në gjendje të vështirë financiare, me probleme në pagesën e detyrimeve dhe në mbledhjen e të ardhurave.


Të dhënat e buxhetit faktik 2025 tregojnë se sektori mbetet i ekspozuar ndaj rrezikut të mungesës së likuiditetit, ndërsa detyrimet e akumuluara ndaj OSHEE Group kanë arritur në 33.8 miliardë lekë, ose rreth 352 milionë euro.


Sipas të dhënave të raportuara deri në dhjetor 2025, nga kjo shumë, rreth 14.1 miliardë lekë janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë së energjisë, ndërsa rreth 19.7 miliardë lekë janë kamatëvonesa. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e stokut të detyrimeve përbëhet nga penalitete për pagesa të vonuara, duke e bërë edhe më të rëndë barrën financiare për ndërmarrjet e ujësjellësit.


Për vitin 2025, buxheti i shtetit ka parashikuar një subvencion prej 350 milionë lekësh për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve. Ky fond është vendosur në buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shpërndahet përmes AKUK/MIE, sipas kritereve të përcaktuara. Subvencioni shkon kryesisht për ndërmarrjet që nuk arrijnë të mbulojnë kostot dhe shpenzimet operative, pas uljes së shpenzimeve që lidhen me keqmenaxhimin.


Megjithatë, përmasa e subvencionit mbetet shumë më e vogël se detyrimet e akumuluara. Fondi prej 350 milionë lekësh përbën afërsisht 1% të borxhit total prej 33.8 miliardë lekësh që ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve kanë ndaj OSHEE Group. Kjo tregon se ndihma buxhetore mund të lehtësojë përkohësisht operimin e disa ndërmarrjeve, por nuk zgjidh problemin strukturor të borxheve të akumuluara ndër vite.


Ndërmarrja me detyrimet më të larta mbetet Ujësjellës-Kanalizime Durrës. Deri në fund të vitit 2025, UK Durrës kishte 5.75 miliardë lekë detyrime kryesore ndaj OSHEE Group, pa përfshirë kamatëvonesat. Në vitin 2024, kjo shumë ishte 5.62 miliardë lekë, që do të thotë se borxhi i Durrësit është rritur me rreth 130 milionë lekë brenda një viti.


Në listën e pesë ndërmarrjeve me detyrimet më të mëdha në vitin 2025, pas Durrësit renditet UK Fier me 890 milionë lekë, UK Shkodër me 880 milionë lekë, UK Patos me 870 milionë lekë dhe UK Kavajë me 770 milionë lekë. Në total, pesë ndërmarrjet kryesore kishin 9.16 miliardë lekë detyrime kryesore ndaj OSHEE Group.


Krahasuar me vitin 2024, totali i detyrimeve të pesë ndërmarrjeve më të mëdha ka rënë nga 9.93 miliardë lekë në 9.16 miliardë lekë. Por kjo ulje nuk ndryshon thelbin e problemit, pasi borxhi mbetet shumë i lartë dhe disa ndërmarrje vijojnë të kenë detyrime të qëndrueshme ose në rritje. Durrësi, për shembull, është rritur nga 5.62 në 5.75 miliardë lekë, Fieri nga 830 në 890 milionë lekë, ndërsa Patosi dhe Kavaja mbeten në të njëjtat nivele, përkatësisht 870 milionë dhe 770 milionë lekë.


Ndryshim ka edhe në përbërjen e listës së debitorëve më të mëdhenj. Në vitin 2024, ndër pesë ndërmarrjet kryesore ishte UK Vlorë, me 1.86 miliardë lekë detyrime, ndërsa në vitin 2025 ajo nuk figuron më në pesëshen kryesore të listuar. Në vend të saj është UK Shkodër, me 880 milionë lekë detyrime ndaj OSHEE Group.


Paralelisht, sektori është futur në një proces reformimi dhe konsolidimi. Sipas reformës për furnizimin me ujë dhe kanalizimet, synimi është që 58 ndërmarrjet ekzistuese U-K të riorganizohen në 15 shoqëri rajonale. Aktualisht janë krijuar 14 shoqëri rajonale dhe procesi ka vijuar edhe me strukturimin e brendshëm të tyre. Megjithatë, mbeten ende 3 bashki që nuk kanë firmosur marrëveshjet e bashkëpunimit për krijimin e shoqërisë rajonale UK Tiranë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat