Belshi drejt turizmit Eco, FSHZH tender 3.4 mln euro për glamping, tree houses dhe park aventure
Belshi synon të forcojë profilin si destinacion i turizmit “eco”, teksa Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur një tender prej 3.4 milionë eurosh për zgjerimin e Eco Park Dumrea.
Turizmi “eco” duket se do të jetë orientimi që do t’i jepet më shumë theks në zonën e Belshit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka hapur një tender me fond limit 333 milionë lekë, ose rreth 3.4 milionë euro, për zgjerimin e Eco Park Dumrea në Belsh, një investim që synon ta kthejë zonën në një destinacion të ri të turizmit natyror dhe edukativ.
Kontrata ka si objekt: “Investime për ngritjen e produkteve turistike në zonat e reja me potencial zhvillimi rajonal dhe lokal, boot camp, resorte eco, kampingje, ski resort, etj: Zona e Eco Park Dumrea në Belsh – Pasurim me funksione të reja.”
Megjithëse në emërtimin e programit përmenden edhe “ski resort”, projekti për Belshin nuk parashikon ndërtimin e një resorti skish. Dokumentacioni teknik fokusohet në krijimin e një kompleksi ekologjik, rekreativ dhe edukativ pranë Liqenit të Marinës, në zonën e Dumresë.
Sipas raportit arkitektonik, investimi synon krijimin e një destinacioni turistik gjithëvjetor që kombinon akomodimin në natyrë, aktivitetet rekreative dhe edukimin mjedisor, duke ruajtur karakterin ekologjik të zonës dhe duke përdorur materiale natyrore e teknologji të qëndrueshme.
Projekti
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi të ri turistik me glamping, një formë kampingu luksoz ku vizitorët akomodohen në çadra të pajisura me komoditetet e një hoteli, tree houses, ose shtëpi të ngritura mbi struktura druri mes pemëve, si dhe një park aventure, me ura me litarë, mure ngjitjeje, pengesa dhe aktivitete në natyrë të orientuara kryesisht për fëmijë, familje dhe grupe shkollore.
Në total do të ndërtohen 14 shtëpi në lartësi me kapacitet deri në 84 vizitorë, të lidhura me platforma druri dhe të projektuara për të minimizuar ndikimin në mjedis. Po ashtu do të realizohen edhe 14 njësi glamping, të vendosura mes gjelbërimit dhe me kapacitet të ngjashëm akomodues.
Paketa e investimit përfshin gjithashtu një sallë multifunksionale me kapacitet deri në 250 persona, klasa modulare për aktivitete edukative, sera didaktike, pavijone në natyrë dhe një amfiteatër të hapur për aktivitete kulturore dhe komunitare.
Në zonën rekreative janë planifikuar një pishinë gjysmë-olimpike, fusha sportive, përmirësimi i zonës së paintball-it, restoranti, zgjerimi i parkimit dhe rrjeti i shtigjeve që lidhin të gjitha funksionet e parkut me brigjet e liqenit dhe zonat pyjore përreth.
Sipas FSHZH-së, Eco Park Dumrea është konceptuar si një model i ri i turizmit të qëndrueshëm, që synon të diversifikojë ofertën turistike të Belshit dhe Dumresë përmes kombinimit të natyrës, akomodimit ekologjik, edukimit mjedisor dhe aktiviteteve rekreative gjatë gjithë vitit.