Secondary Adv

Korporata anulon procedurën për Korpusin e Institucioneve të Pavarura, privati s’ka interes

Korporata e Investimeve Shqiptare anuloi procedurën për përzgjedhjen e partnerit privat për projektin “Korpusi i Institucioneve të Pavarura” dhe “Qendra për Zhvillimin Multifunksional, Tiranë”.


Kjo, pasi nuk arriti të sigurojë numrin minimal të aplikimeve të kërkuara në fazën e parë të garës.


Në njoftimin e publikuar më 29 qershor, Korporata tha se procedura u anulua “për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve të dorëzuara për Fazën I të procedurës konkurruese”, duke mbyllur garen, të paktën për momentin, per një prej projekteve më të mëdha të zhvillimit të pronës shtetërore përmes partneritetit me sektorin privat.


Dështimi vjen pas një sërë projektesh të ngjashme të cilët kanë rezultuar pa interes. Korporata në disa raste ka ndryshuar kushtet ekonomike të projekteve në përpjekje për të tërhequr zhvilluesit privatë por duket se as në këtë rast ulja e përqindjes nuk ka zgjuar interes. Dokumentet e procedurës tregojnë se pragu minimal i pjesëmarrjes së shtetit u ul, dhe investitorëve u kërkohej të garantonin të paktën 35% të sipërfaqes së zhvilluar në favor të Korporatës. Fitues do të ishte ofertuesi që propozonte përqindjen më të lartë mbi këtë prag. Edhe pas lehtësimit të kushteve, interesi i tregut mbeti i pamjaftueshëm.


Projekti ishte konceptuar mbi modelin e sipërmarrjes, ku Korporata do të kontribuonte me tokën shtetërore, ndërsa partneri privat do të financonte, projektonte dhe ndërtonte investimin, duke përfituar të drejtën për të zhvilluar sipërfaqe rezidenciale, tregtare dhe shërbimesh.


Paketa përfshinte dy zhvillime. I pari ishte ndërtimi i Korpusit të Institucioneve të Pavarura, i projektuar për të përqendruar në një kampus të vetëm një sërë institucionesh të pavarura. I dyti ishte Qendra për Zhvillimin Multifunksional në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, që parashikonte ndërtimin e objekteve publike dhe komunitare, të financuara përmes zhvillimit të një kompleksi privat në të njëjtën pronë.


Modeli është pjesë e strategjisë së Korporatës për të zhvilluar asetet shtetërore pa financim të drejtpërdrejtë nga buxheti, duke shkëmbyer të drejtën e zhvillimit me ndërtimin e ifrastruktures publike.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat