Ibrahimaj: Synojmë që pensioni mesatar të arrijë 400 euro në vitin 2029
Qeveria ka vendosur një objektiv për politikën e pensioneve, duke synuar që deri në fund të mandatit, në vitin 2029, pensioni mesatar për qytetarët me vite të plota pune të arrijë në 400 euro.
Kështu deklaroi ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi me pensionistët, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
Sipas Ibrahimajt, rritja ekonomike e viteve të fundit ka krijuar hapësirat fiskale për të rritur mbështetjen ndaj pensionistëve dhe për ta kthyer përmirësimin e treguesve ekonomikë në përfitime konkrete për qytetarët.
Ministrja tha se synimi i qeverisë është që rritja ekonomike të mos mbetet vetëm një tregues statistikor, por të reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave të pensionistëve. Përveç objektivit prej 400 eurosh për pensionin mesatar të personave me karrierë të plotë pune, qeveria synon që pensioni mesatar për ata me vite të pjesshme sigurimi të arrijë në 220 euro.
Ibrahimaj theksoi se skema e mbështetjes nuk do të mbështetet vetëm te indeksimi vjetor i pensioneve, por edhe te politika e bonuseve mujore, e cila është bërë tashmë pjesë e përhershme e paketës sociale. Sipas saj, fondi për bonuset mujore gjatë vitit 2026 arrin në 10.4 miliardë lekë.
Njëkohësisht ka nisur edhe shpërndarja e bonusit të verës prej 5 mijë lekësh për mbi 777 mijë pensionistë dhe përfitues të skemave të veçanta, me një fond prej 3.9 miliardë lekësh.
Sipas përllogaritjeve të qeverisë, së bashku me efektin e indeksimit të pensioneve dhe bonuset, mbështetja shtesë për pensionistët gjatë vitit 2026 arrin në rreth 17 miliardë lekë, ose rreth 170 milionë euro.