Shqipëria ende ka ndër nivelet më të larta të kredive me probleme në Rajon
Shqipëria vazhdon të ketë një nga nivelet më të larta të kredive me probleme në rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore.
Të dhënat krahasuese nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) tregon se me një nivel prej 3.8% në fund të vitit 2025, Shqipëria kishte një ndër raportet më të larta të kredive me probleme. I vetmi vend ku kreditë me probleme shfaqen më të larta është Polonia, në nivelin 4.61%.
Ndërkohë, vendet e tjera, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë nivele më të ulëta. Konkretisht, Kosova ka një raport të kredive me probleme në nivelin 2.03% Maqedonia e Veriut në nivelin 2.04%, Serbia në nivelin 2.11% dhe Bosnje-Hercegovina në nivelin 2.4%.
Rezultatet e anketimit rajonal tregojnë se cilësia e kredisë është përmirësuar përsëri gjatë gjashtë muajve të fundit, me më pak kredi me probleme.
Por, bankat presin një përkeqësim të cilësisë së kredisë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm për biznesin e shitjes me pakicë dhe të korporatave. Megjithatë, analiza e anketës së EIB nënvizon se shqetësime të ngjashme, të shprehura në vitet e mëparshme nga bankat e anketuara, në fakt nuk janë materializuar.
Sipas statistikave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në prill të këtij viti ra në 3.75%. Ky tregues vazhdon të jetë në rënie edhe me bazë vjetore, kundrejt nivelit prej 4.03% të prillit 2025.
Raporti i kredive me probleme aktualisht është në nivelin më të ulët në 18 vitet e fundit. Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 36.3 miliardë lekë. Kreditë e këqija në vlerë sidoqoftë janë rritur me 3.4% krahasuar me një vit më parë.
Për momentin, raporti i kredive me probleme duket se po vazhdon ta ruajë tendencën rënëse, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit në vitet e fundit. Ecuria e mirë makroekonomike dhe zgjerimi i vazhdueshëm i portofolit të kredisë po ndikojnë pozitivisht në ecurinë e treguesit të kredive në vonesë.
Sidoqoftë, rritja e inflacionit po e bën më të mundshme një rritje të normave të interesit. Banka Qendrore e ka ndërmarrë tashmë një rritje, ndërsa nivelet aktuale të inflacionit e bëjnë të mundshme një rritje edhe nga Banka e Shqipërisë. Sidoqoftë, Bankat Qendrore në skenarët bazë nuk parashikojnë efekte dramatike dhe shmangie afatgjata nga objektivat e tyre të inflacionit.
Normat më të larta të interesit mund të ndikojnë negativisht aftësinë paguese të detyrimeve, por edhe kërkesën për kredi të reja. Teorikisht, kjo mund të shtojë rreziqet për rritje të kredive me probleme, por, për sa kohë rritja e normave do të jetë e kufizuar, ky ndikim nuk pritet të jetë shumë i madh.